Ballina Rajoni Ngjarje e rëndë në Athinë, vajza e mitur në gjendje kritike pas...

Ngjarje e rëndë në Athinë, vajza e mitur në gjendje kritike pas incidentit në një shesh publik

25
0

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës (9 shkurt) në zonën e Kallitheas, në Athinë, ku një vajzë 2.5-vjeçare u gjet pa ndjenja në një shatërvan në Sheshin e Qipros.

Sipas autoriteteve greke, oficerët e policisë nga njësia DIAS, të cilët ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, u njoftuan menjëherë, nxorën fëmijën nga shatërvani dhe i dhanë ndihmën e parë. Vajza u transportua me urgjencë në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou”.

Siç raporton televizioni publik grek ERT, mjekët në urgjencë kryen për rreth 40 minuta përpjekje intensive për ringjallje, duke arritur ta rikthejnë në jetë. Aktualisht, vajza e vogël ndodhet e intubuar dhe po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv.

Sipas informacioneve paraprake, fëmija ndodhej në shesh së bashku me të atin. Në një moment, ajo dyshohet se i ka shpëtuar vëmendjes së tij dhe, në rrethana ende të paqarta, përfundoi në shatërvan.

Prindërit e vajzës, babai 26-vjeçar dhe nëna 23-vjeçare, u arrestuan nga policia greke. Babai po mbahet në Departamentin e Hetimit Penal në Kallithea, ndërsa nëna ndodhet në spital, e shoqëruar nga një oficer policie. Të dy përballen me akuza për neglizhencë ndaj të miturit dhe pritet të paraqiten para prokurorisë për të sqaruar rrethanat se si fëmija përfundoi në shatërvan.