Këtë të hënë ka nisur faza përfundimtare e procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Të pandehurit dhe mbrojtja do të kenë mundësinë t’i drejtohen trupit gjykues me parashtrimet e tyre në këtë fazë të fundit të procesit.
Avokati i akredituar nga Gjykata Speciale në Hagë, Artan Çerkini tregoi përmediat në Kosovë se çfarë mund të dëgjohet në Speciale nga data 9 deri më 18 shkurt.
“Jemi në fazën përfundimtare sepse fjalët përfundimtare të palëve në këtë procedurë shënojnë edhe përfundimin e procedurës. Natyrisht, në fjalën përfundimtare, si prokuroria si mbrojtja do t’i përmbledh faktet dhe provat, secila për ta mbrojtur pozicionin e vet. Fillimisht do të startojë prokuroria, pastaj mbrojtja.
Ekziston një aktvendim i gjykatës ku në mënyrë të qartë përcaktohen edhe detajet. Në atë aktvendim thuhet se prokuroria do t’i ketë tetë orë, ndërsa secili ekip mbrojtës nga katër orë e gjysmë. Edhe të pandehurit do t’i kenë nga 20 minuta për t’i drejtuar gjykatës.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare trupi gjykues do të tërhiqet për vendimmarrje.
Trupi gjykues sipas vendimmarrjes i ka tre muaj që të marrë vendim, mirëpo nëse trupi gjykues e vlerëson se i duhet më shumë kohë, trupi gjykues mund të kërkojë nga kryetarja e gjykatës që afati për marrjen e vendimit të vazhdohet”,-u shpreh Çerkini.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.






