Kryeministri Edi Rama paralajmëroi të hënën se do të ndërmarrë një ofensivë ligjore për të mbrojtur kabinetin e tij qeveritar dhe poste të tjera kushtetuese ndaj masave të pezullimit nga detyra nga ana e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra për numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Rama njoftoi gjithashtu se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut do të futej në ‘kalendat greke’, pasi sipas tij “nuk ka asnjë urgjencë” për ta trajtuar atë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Deklaratat e Ramës u prezantuan si konkluzione të mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të hënën nisur nga “leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese” për rastin Balluku. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është zbardhur ende i plotë.
“Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të pezullohen kurrësesi nga askush duke u nisur nga një emër i përveçëm, sepse pezullimi paralizon funksionin, pra institucionin që ai/ajo drejton,” shkroi Rama në platformën X.
Duke ia atribuar qëndrimin Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai shton ky qëndrim u nxit “nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja”.
Ndërkohë, Kryeministri paralajmëron se mazhoranca që ai drejton nuk do të shprehet për kërkesën e SPAK në Kuvend për të marrë autorizimin për një masë të re sigurie arrest me burg/arrest në shtëpi ndaj Ballukut, e marrë e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në disa tendera me vlerë qindromilionë euro.
Sipas kryeministrit, pas pezullimit nga detyra të Ballukut, SPAK “mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit”.
Rama shton më tej se ky qëndrim nuk e prek lirinë e SPAK-ut për të hetuar, por garanton që “pavarësia e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken”.
Gjykata Kushtetuese të premten vendosi të rrëzojë kërkesën e Ramës kundër një vendimi të Gjykatës së Posaçme, GJKKO, që pezullonte nga funksionet administrative Ballukun. Vendimi u mor pas një mbledhje maratonë prej 10 orësh ku gjyqtarët e kësaj gjykate u ndan 4 e 4 në qëndrimet e tyre dhe kërkesa e Ramës u konsiderua e rrëzuar, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së.
Nga ana tjetër, që prej dhjetorit Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka refuzuar të thërrasë Këshillin e Mandateve, organi që vendos për imunitetin e deputetëve, për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut./ BIRN







