Nga Desada Metaj
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ta pranojmë të gjithë ishte i papritur. Presioni intensiv i Ramës, i shoqëruar me vendimin e ndërmjetëm të saj, për pezullimin e vendimit të GJKKO, kishte krijuar bindjen se SPAK ishte thyer në përballjen me një nga figurat më të forta të pushtetit. Pritshmëritë ishin ngritur në ekstrem: në publik, në politikë dhe në radhët mediatike. Tensioni ndihej qartë, si në nervozizmin e përditshëm të Ramës, ashtu edhe në sulmet paragjykuese të Berishës, i cili, në thelb, dëshiron një SPAK të dobësuar. Alibia e tij — se Gjykata Kushtetuese kontrollohej nga Rama — i shërben të njëjtës frikë që ndajnë të dy: një SPAK i fortë nuk është kërcënim vetëm për Ramën, por edhe për Berishën dhe këdo tjetër që ka llogari me drejtësinë.
Për këtë arsye, reagimi post-vendim ishte i menjëhershëm: të gjithë u vërsulën të shanin Gjykatën Kushtetuese për vendimin 4 me 4, duke e etiketuar si “vendim pa vendim”. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë. Madje, nuk është aspak kështu. Ekziston një verdikt i qartë i Gjykatës Kushtetuese: kërkesa e Ramës për shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së është rrëzuar! Pa apel. Pa ekuivok. Kjo ishte beteja reale. Jo se çfarë do të shkruhej në arsyetimin juridik, jo shkollat e mendimit apo formulimet doktrinare kushtetuese, por, nëse qeveria e Ramës do ta mposhtte drejtësinë për të mbrojtur Ballukun. Dhe pikërisht këtu Rama humbi.
Megjithatë, përtej kësaj ka diçka akoma edhe më të vlefshme që ka thënë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kjo pikë, nuk duket se ka zënë vend si duhet në radhët politike dhe mediatike pranë Ramës dhe Berishës. Ka një shqetësim të dukshëm, një parehati që nuk artikulohet hapur. Arsyetimi i plotë i vendimit ende nuk ka dalë, por njoftimi zyrtar i Kryetares së Gjykatës shpërndarë mediave, përmban një element thelbësor, sidomos për ata që pretendojnë se “nuk pati vendim”. Për çështjen themelore të ngritur nga Rama — pra nëse neni 242/2 i Kodit të Procedurës Penale, ai që parashikon masën e sigurimit “pezullim nga detyra”, zbatohet apo jo për anëtarët e qeverisë, përfshirë Kryeministrin — Gjykata Kushtetuese ka vendosur unanimisht, 8 me 0. Të gjithë anëtarët e saj kanë konfirmuar se “pezullimi nga detyra” është masë sigurimi që zbatohet ndaj çdo anëtari të qeverisë, nga Kryeministri te ministrat.
Kujtojmë se pretendimet e Kryeministrit para Gjykatës ishin dy. Së pari, se masa e pezullimit përbën de facto shkarkim dhe si e tillë është kompetencë ekskluzive e tij, me Presidentin dhe Kuvendin që vetëm e ratifikojnë. Sipas këtij argumenti, pezullimi gjyqësor cenon kompetencat kushtetuese të Kryeministrit. Pretendimi i dytë, më i zbutur dhe pjesërisht kontradiktor, ishte se pezullimi i anëtarit të qeverisë lejohet, por ama vetëm me autorizim të Kuvendit, njësoj si në rastin e imunitetit të deputetëve.
Pretendimi i parë u rrëzua unanimisht. Gjykata Kushtetuese konfirmoi se anëtarët e qeverisë, përfshirë Kryeministrin, janë të pezullueshëm nga detyra nga sistemi gjyqësor dhe se neni 242/2 i KPP-së është në përputhje me Kushtetutën, pa cenuar ndarjen e pushteteve. Vetëm çështja e autorizimit të Kuvendit ndau gjykatën në dy kampe: katër gjyqtarë menduan se autorizimi kërkohet, ndërsa katër të tjerë se jo, pasi imuniteti nuk mbulon pezullimin nga detyra. Imuniteti mbron vetëm nga arrestimi dhe kontrolli personal apo i banesës — asgjë më tepër. Kjo del qartë nga njoftimi zyrtar. Arsyetimi i plotë pritet, por thelbi është mjaft i qartë sa vetë gjykata e bëri pjesë të komunikimit publik.
Thënë kjo, duhet ta bëjmë të qartë për të gjithë. Pavarësisht se publiku natyrshëm u ngërthye nga interesi se çfarë do të ndodhte me fatin personal penal të Ballukut, duke qenë se ishte një goditje penale për një nga njerëzit më të pushtetshëm të qeverisë, dhe një goditje politike për gjithë qeverinë, në thelb ajo që po ndodhte dhe po ndodh është diçka tjetër, edhe më e rëndësishme dhe më e rrezikshme se kaq. Në lojë ishte fakti nëse sistemi i drejtësisë, së paku në përballjen e fundit të filluar nga nëntori i vitit 2025 e këtej, ishte, apo do të vihej nën kontrollin politik të pushtetit. Kjo përballje, në varësi të përfundimit, këtë verdikt do të jepte.
Është aluduar shpesh nga Rama, në rastet e mëparshme, deri te rasti Veliaj, se ai kishte kontroll mbi drejtësinë. Ngjarjet e deritanishme, në një farë mënyre, këtë e linin të kuptohej në publik. Rastet Bllako, Koka, Beqja, Ahmetaj, deri edhe Veliaj, për sa kohë që Rama, të paktën në fasadë, nuk iu kundërvu drejtësisë, krijonin në thashethemnajën ballkanike të Tiranës idenë se të gjitha këto ishin “lojëra të Ramës” për të hequr qafe të padëshiruarit prej tij. Ai vetë i përforcoi këto zëra, teksa dilte me të madhe të thoshte se kjo drejtësi ishte pjellë e tij dhe e PS-së, se ai vetë ishte garanti i saj e me radhë. Aq më tepër që edhe Berisha ishte në harmoni me këtë qëndrim, prej hallit të tij me drejtësinë, duke e trajtuar veprimtarinë ligjore të SPAK-ut ndaj tij si sulm politik të Ramës (ndonjëherë edhe të Taulant Ballës), dhe duke e paraqitur SPAK-un si vegël politike të PS-së, e përdorur për spastrim kundërshtarësh jashtë dhe brenda PS-së. Të gjitha zërat, pra, ishin bukur në harmoni.
Derisa erdhi rasti Balluku.
Në rastin Balluku, kjo harmoni dhe kjo intrigë diabolike u prish. Rama nuk ishte më kontrollues i SPAK-ut. Ai nuk do ta përdorte atë si thikë që t’ia ngulte vetes, apo jo?! Balluku nuk ishte vetëm mëkëmbësja e tij, por një bashkëpunëtore luajalë në vetë punët e Ramës. Llogaraja apo lotet e Unazës së Tiranës janë çështje të mëdha, për të cilat i ka hije vetë Kryeministrit të merret. Ministrat janë thjesht ekzekutorë të verbër të porosive të tij (me SMS apo me gojë, kjo ka pak rëndësi). Dhe, pikërisht në nëntor 2025, qëndrimi i Ramës ndryshoi 180 gradë. Sulmoi gjyqtarin dhe prokurorin që u mblodhën kokë më kokë. U hodh në sulm kundër tyre duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Rama, në atë moment, nuk ishte më ai që dinte gjithçka, madje që i paraprinte gjithçkaje. Ishte kapur, së paku, gafil. Shtatë orët e takimit në Kryeministri e dëshmojnë këtë gjë.
Ajo ngjarje, përveç vlerës ligjore dhe një kërkese që kishte filluar prej kohësh të artikulohej në publik që pas arrestimit të Veliajt, radha ishte për Ballukun, i dha një përgjigje të parë, edhe të panjohurës tjetër: nëse Rama kontrollonte SPAK-un. Doli që nuk e kontrollonte aspak. Madje, që SPAK-u kishte guximin t’i trokiste në selinë e Kryeministrisë. Rama pa, në atë moment, se kjo ishte fitorja e parë e drejtësisë, që iu afrua rrezikshëm atij vetë. Ndaj çështja Balluku kishte këtë vlerë të shtuar, krahasuar me të gjitha çështjet e tjera të mëparshme.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, nën këtë dritë, përveçse rrëzoi kërkesën e tij, pavarësisht raportit të votave, tregoi edhe se Edi Rama nuk kontrollon as Gjykatën Kushtetuese, të paktën jo në ato numra që do t’i garantonin suksesin. Vendimi i ndërmjetëm, i marrë me urgjencë dhe i ardhur pas një presioni publik të paskrupullt dhe nervoz, krijoi vërtet një efekt dekurajues edhe në publik. Por, siç duket, fjala e fundit nuk ishte thënë. Interesi i shtuar i ndërkombëtarëve, përtej vizitave të kortezisë në SPAK dhe në Gjykatën Kushtetuese, ishte vetëm një shenjë. Kalimi i kohës, siç duket, sqaroi shumëçka, jo vetëm në lëvizjet e nëndheshme diplomatike, por edhe në sqarimin juridik të situatës konkrete.
Pavarësisht të gjithave, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë 8 me 0 duke rrëzuar Ramën, dhe mosarritja e pesë anëtarëve pro duke rrëzuar Ballukun, është as më shumë e as më pak sesa fitorja e dytë kardinale e drejtësisë pas asaj të SPAK-ut. Dy prova të forta, në një kohë të shkurtër, që rrëzuan një narrativë të ndërtuar me kujdes nga Rama, së cilës i bënte iso, jo pafajësisht, edhe Berisha. Qëndrimet e “habitshme” të Ibrahimit të PS-së, që voton kundër Ramës, apo “Bejtja” e PD-së, që voton pro Ramës, dëshmojnë pikërisht tentativat e dështuara për ta nënshtruar Gjykatën Kushtetuese dhe kundërreagimin për të mos iu nënshtruar pushtetit të gjithë anëve të politikës që janë në konflikt me drejtësinë.
Tashmë maskat kanë rënë. Ajo e Ramës si “kalorës i fytyrës së vrerosur” në mbrojtje të drejtësisë, por edhe ajo e Berishës, që e shan drejtësinë duke pretenduar se ajo i është nënshtruar Ramës, kanë marrë goditje të rëndë. Drejtësia – SPAK-u, GJKKO-ja, Gjykatat e Larta dhe Gjykata Kushtetuese – me këto akte e kanë ngritur si kurrë më parë autoritetin e tyre në sytë e publikut dhe kanë lënë me gisht në gojë krahët politikë dhe zërat mediatikë pranë tyre, të cilët tashmë shihen se janë mbledhur nën një front të vetëm kundër drejtësisë, duke lënë mënjanë “dasitë e vjetra”.
Më i godituri është vetë Edi Rama. I ka rënë magjepsja si i plotfuqishëm dhe i paprekshëm. Si lojtar politik i rangjeve ndërkombëtare. Si aktor i së ardhmes, i distancuar vite dritë nga banaliteti i kënetës shqiptare, siç e quan ai. Është zvogëluar. Është mpakur. E ka vënë përfund halli i Ballukut dhe merret tashmë me cingla-mingla procedurale. Ka angazhuar që nga Xhafaj, Manja, e kompani, në kryqëzatë ndaj drejtësisë. Ka filluar të lëvizë nën instinkt dhe pa një tablo të qartë përpara.
Nuk foli asnjë fjalë për provën tjetër të zjarrit që ka tashmë në sofrën e Parlamentit: atë të heqjes së imunitetit. U përpoq paksa dje, me zë të fikur, të anatemonte drejtësinë dhe Gjykatën Kushtetuese, por shumë i drojtur. Për “elefantin në dhomë”, imunitetin e zëvendëses, nuk dha asnjë shpjegim, edhe pse interesi i publikut është shumë më i madh sesa për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të disa ditëve më parë.
Tha, në fakt, diçka që flet shumë: se do ta “zhbëjë padrejtësinë” me ligj. Me fjalë të tjera, tha atë që kumtoi edhe Ulsi Manja disa ditë më parë: do të ndërhyjë në sistemin ligjor për të penguar punën e drejtësisë. Dhe, në fakt, kjo është e vetmja lëvizje që i ka mbetur. Me 83 mandate që ka, së bashku edhe me dëshirën e Berishës për të goditur drejtësinë, po bëhet gati të ndryshojë kodet dhe ligjet e drejtësisë. Broçkullat, si numri i lartë i paraburgosurve, afatet e zgjatura të paraburgimit, pagat e “joproporcionale” të magjistratëve, shpërdorimi i detyrës në Kodin Penal dhe, së fundmi, pezullimi nga detyra, janë vetëm justifikime për të ndërmarrë një inkursion ndëshkues ndaj drejtësisë me vota në Parlament. Nuk ka rrugë tjetër në këtë fazë.
Por edhe kjo rrugë nuk është kaq e thjeshtë. Nuk është aritmetikë elementare: 83 mandate plus Berisha. Sepse, tashmë në sytë e publikut dhe në sytë e ndërkombëtarëve, ai vetë nuk është më as gjeneruesi, as zgjidhja, as garancia, as stabiliteti i drejtësisë. Ai është problemi i drejtësisë. Ndoshta, në mendje, mund të çojë ide të errëta destabiliteti politik, shkatërrimi të idesë së integrimit në BE të Shqipërisë, apo të kërkojë rrugë shpëtimi sa në Izrael, sa në Vatikan, por një gjë duket e qartë: integritetin e sistemit të drejtësisë nuk e prek dot. Më saktë, nuk do t’ia lejojnë ta bëjë. Edhe mund t’ia marrë përëndia mendjen dhe të miratojë ligje kontraverse, të zhbëjë mekanizma të miratuar më parë, të vendosë pengesa ligjore kundër pezullimit nga detyra, kundër arrestimit, kundër të drejtës për të mbledhur prova dhe telefona nga ana e SPAK-ut e histori të tilla, por nuk duhet të harrojë se të gjitha rrugët e çojnë sërish në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është e para dhe më pak e rëndësishmja.
Por tashmë, raporti i tij me ndërkombëtarët në Bruksel apo Uashington nuk është dhe nuk do të jetë më ai i pari. Këta të fundit ende nuk kanë folur publikisht. Nuk dihet se çfarë do të thonë në takimet me Antonio Kosta-n apo çfarë zyrtarësh të tjerë kanë folur apo do të flasin, por një gjë është e qartë: gjithçka rrotullohet rreth një çështjeje – si të mos lejohet Edi Rama të pengojë drejtësinë. Dhe e gjithë kjo përkthehet në kosto politike dhe publike për Ramën, nëse ndërmerr lëvizje ligjore antidrejtësi.
Së fundmi ajo që mbetet në këtë situatë është se drejtësia duhet të kuptojë se tashmë i ka fituar betejat e para, si në SPAK ashtu edhe në Gjykatën Kushtetuese. Por kjo është një betejë e gjatë. Është konsumuar vetëm pjesa e parë, me fitore të drejtësisë. Shumë shpejt do të vijnë beteja të tjera. Ndaj, jo thjesht për ndjenjën e shërbimit ndaj detyrës, por edhe për interesin publik, drejtësia e re, e cila tashmë është më autoritative se më parë, duhet të kapë kuota të tjera autoriteti dhe epërsie në betejë. Dhe nuk është vetëm. Ka me vete mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe, mbi të gjitha, të shqiptarëve.







