Ballina Sport ​Super Bowl LX, ndeshja më e shikuar ne Amerikë, kritikohet nga Trump

​Super Bowl LX, ndeshja më e shikuar ne Amerikë, kritikohet nga Trump

26
0

Seattle Seahawks fituan Super Bowl LX, finalen e kampionatit profesionist të futbollit amerikan (NFL), duke mposhtur New England Patriots me rezultat 29–13. Super Bowli është ndeshja më e madhe sportive në SHBA dhe ndiqet nga mbi 100 milionë shikues çdo vit. Quarterback-u i Seahawks, Sam Darnold, hyri në histori si lojtari i parë nga drafti i famshëm i vitit 2018 që fiton titullin kampion, ndërsa Seattle u dallua për një mbrojtje shumë të fortë gjatë gjithë ndeshjes.

Ndeshja u dominua nga Seahawks, sidomos në pjesën e dytë, ku gabimet e quarterback-ut të Patriots, Drake Maye, rezultuan vendimtare. Trajneri i Seattle, Mike Macdonald, vetëm 38 vjeç, u bë një nga trajnerët më të rinj që fiton Super Bowlin. Pas ndeshjes ai u shpreh: “Ky është një moment historik për ekipin dhe për qytetin tonë. Këta lojtarë e merituan gjithçka”, deklaratë e cituar nga Reuters.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj performancës së Bad Bunny në Halftime Show të Super Bowl LX, duke e cilësuar atë si “një nga më të këqijat ndonjëherë”. Trump, i cili nuk ishte i pranishëm në stadium por e ndoqi ndeshjen nga Florida, shkroi në Truth Social se shfaqja ishte “një shuplakë në fytyrë për Amerikën” dhe se “askush nuk e kupton çfarë po thotë ai”, duke kritikuar gjithashtu gjuhën spanjolle dhe koreografinë si të papërshtatshme për fëmijët.

Reagimi i tij erdhi pavarësisht faktit se Bad Bunny dha një mesazh bashkues, duke përfshirë të gjitha vendet e Amerikës dhe duke theksuar identitetin latino, ndërsa kritikat e Trump u panë si vazhdim i qëndrimeve të tij të mëparshme kundër artistit raporton CNN.