Anëtari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Ardian Muka hodhi akuza në adresë të institucionit vendor, se fusin materiale shtesë jashtë rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit, teksa jashtë dyerve të Bashkisë mbahej protesta e banorëve që preken nga shpronësimi në kuadër të projektit TID për rijetëzimin e qendrës historike të Durrësit.
Sipas Mukës, situata me banorët e Durrësit daton që më 2021, kohë kur Bashkia planifikoi projektin TID dhe që u finalizua me ndryshim të projektit të paktën 4 herë deri më 2023.
Sa kohë që çështja është në Gjykatën e Durrësit, Muka tha se Bashkia duhet të tërhiqet derisa gjykata të shprehet me vendim.
Futen materiale në mbledhje në kundërshtim me rregulloren, edhe mbrëmë është shtuar një material me projektin TID. Largimi nga mbledhja u bë jo vetëm nga këshilltarët e PD por edhe nga i gjithë fronti opozitar. Kundërshtuam rendin e ditës, edhe pse kishin bërë një artificë që mbledhja zhvillohet duke marrë firmën nga kryetarët e çdo force politike. S´mund të ishte një mbledhje normale e Këshillit Bashkiak, që mblidhet për t´u dhënë zgjidhje problematikave. Rrugëtimi i TID e ka pikënisjen që më ´21, nga ana e PS të gjitha vendimet deri më ´23, janë pasojat që banorët vuajnë. Projekti është ndryshuar 4 herë dhe i janë shtuar edhe 73 familje të tjera për shembje. Banorët kanë kontaktuar AAFD, që mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade. Banorët e kanë çuar cështjen në gjykatë dhe është në zhvillim, s´kanë marrë shpronësimin e s´mundet bashkia të ndërhyjë pë të marrë pronat. I kërkuam bashkisë të ndërhyjë për protestuesit e arrestuar, ata thanë që s´ndërhyjnë, ndaj ne morëm vendimin të dalim nga mbledhja.







