Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës në përvetësimin e pajisjeve ushtarake amerikane, duke promovuar kështu bizneset amerikane dhe lidhjet tregtare midis SHBA-së dhe Kosovës, tha një zëdhënës i ambasadës në Prishtinë për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, bashkëpunimi i fuqishëm ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës po e ndihmon FSK-në të arrijë vetëmjaftueshmëri dhe ta bëjë Kosovën një kontribuuese kyç për stabilitetin rajonal dhe global.
“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht tranzicionin 10-vjeçar të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë mbrojtëse territoriale shumetnike, profesionale dhe të ndërveprueshme me NATO-n, e aftë për të rritur sigurinë rajonale dhe për të promovuar interesat e sigurisë së SHBA-së”, tha zëdhënësi.
Ai i bëri komentet në përgjigje të pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se si e vlerësojnë Shtetet e Bashkuara fazën aktuale të transformimit të FSK-së në një forcë ushtarake dhe për rolin që SHBA-ja parashikon të luajë në fazën përfundimtare të këtij transformimi.
FSK-ja e nisi këtë proces dhjetëvjeçar në vitin 2018, pas miratimit të ligjeve përkatëse nga Kuvendi i Kosovës, të cilat i hapën rrugë transformimit të saj në ushtri me kapacitete të plota.







