Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në protestën madhështore në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ ka deklaruar se, ‘Edi Rama është kërcënimi më i rrezikshëm që tejkalon edhe ato kërcënime të regjimit stalinist të Enver Hoxhës’.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare, shqiptarë dhe shqiptare kudo që ndodheni sot, përshëndetjet më të përzemërta për ju misionare dhe misionarë të pamposhtur të Shqipërisë, Shqipërisë së shpresës, Shqipërisë së fitores.
Të dashur miq, zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh, në këtë bulevard në kushte ndër më alarmantet.
Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësorë në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit.
Ndaj dhe më duhet të nis këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale, më e rëndësishme se kurrë.
Ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta përsërisin atë.
Miqtë e mi, Shqipëria është një vend i bekuar.
Ne jemi të bekuar më së pari sepse kemi njëri-tjetrin.
Ja ku jemi këtu, një det i madh luftëtarësh, guximtarësh, njerëz që janë të vendosur t’i dalin zot Shqipërisë.
Shqipëria është një vend i bekuar prej pasurive përrallore që Zoti i ka dhuruar asaj.
Por ne jemi një vend i bekuar për traditat tona të mrekullueshme të mbartura gjeneratë pas gjenerate, brez pas brezi, shekull pas shekulli.
Mirëpo nëse Shqipëria është e bekuar me popullin e saj, me pasuritë e saj, me traditat e saj, nuk mund të mohohet se ne kemi qenë apo kemi përjetuar shekuj pas shekujsh mallkime.
Në njëfarë mënyrë ne kemi përjetuar dhe provuar armiq të egër, pa mëshirë ndaj nesh, armiq që i kanë sjellë dëmet më serioze kombit tonë.
Kurrë ne nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën hoxhiste të Enver Hoxhës, krimet shtazore që ajo kreu ndaj shqiptarëve, vrasjet, persekutimet, pushkatimet, kampet e përqendrimit, policinë sekrete famëkeqe.
Nuk duhet të harrojmë izolimin më të thellë që përjetuam, shkëputjen e Shqipërisë nga trungu i familjes së vendeve të qytetëruara, izolimin e saj nga Europa dhe bota demokratike.
Të gjitha këto i vodhën Shqipërisë 45 vite jetë, gati gjysmën e shekullit të kaluar.
Asnjë nuk ka dyshime se Enver Hoxha ka qenë një armik i egër, ashtu siç e quajti Europa, ishte Hitleri shqiptar i pasluftës së dytë botërore.
Të dashur miq, ne nuk duhet të harrojmë se Partia e Punës dhe Enver Hoxha, ky armik i egër, na qeverisi për 45 vite, pavarësisht krimeve të tij monstruoze të panumërta.
Por sot, çfarë po ndodh me Shqipërinë?
Nëse shekullin e kaluar, Shqipëria u mbajt peng 45 vite, këtë shembull, në një kohë me një shpejtësi krejt tjetër, Shqipëria po përballet me pasoja akoma më katastrofike.
Prej 13 viteve të fundit, pasoja që gërryejnë, rrënojnë çdo ditë vetë ekzistencën e shqiptarëve si banorë të saj.
Me pasoja që ditën e sotme nga Brukseli, BE, për shkak të vjedhjes së papërmbajtur të shqiptarëve nga Ramaduro, dërgon paralajmërimin më ogurzi për Shqipërinë.
Si kurrë më parë për ndonjë vend tjetër, paralajmërimi për zhbërjen nga e para të udhëtimit tonë 32-vjeçar plot sakrifica, shpresa, ëndrra drejt BE.
Miq, e kemi quajtur Rilindjen qeveri të paligjshme sepse e tillë është.
Kemi çdo dokument që fakton farsën zgjedhore të 11 majit.
E kemi quajtur narkoshtet sepse i tillë është.
Kemi 7 rezoluta ku partitë kryesore që drejtojnë sot në Europë dhe në botë pajtohen me këtë fakt.
Por jemi treguar të butë.
Jemi treguar të kursyer me emërtimet tona.
Sepse po të marrësh vetëm ngjarjet e ditëve të fundit, Edi Rama është në fakt armiku më i pamëshirë i të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve në Shqipëri.
Edi Rama është kërcënimi më i rrezikshëm që tejkalon edhe ato kërcënime të regjimit stalinist të Enver Hoxhës, po t’u referohemi shifrave, fakteve, ngjarjeve.
Marrim vetëm ngjarjen e fundit, ishim në pragun e një grushti shteti brenda shtetit.
Edi Rama përdori të gjithë pushtetin e ekzekutivit për bllokimin e prokurorisë dhe presionet e të gjitha llojeve ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Për të mbrojtur bashkëhajduten e 50 milionë eurove në tunelin e Llogarasë.
Për të mbajtur në detyrë bashkëautoren e vjedhjeve të qindra e qindra milionë eurove.
Për të mbrojtur bashkëhajduten që ndërtoi rrugën Qukës-Qafë Pllocë me 9 milionë euro kilometrin, pa asnjë urë, pa asnjë tunel, aq sa ka kushtuar Rruga e Kombit e cila ka dhjetëra ura e tunele dhe afërsisht është tre herë më e gjerë.
Dy muaj, Edi Rama u përpoq të bëjë grusht shteti për të mbrojtur Lubinë sepse mbrapa sa është vetë ai, është Edi Rama.
Mirëpo faza e parë e këtij grushti shteti dështoi.
Dhe këtu, ju burra dhe gra, djem dhe vajza në këtë shesh, keni të gjithë pjesën e kontributit tuaj me protestën tuaj.







