Ballina Politika Debat i ashpër në Komision/ Blushi përplaset me Braçen për TVSH-në e...

Debat i ashpër në Komision/ Blushi përplaset me Braçen për TVSH-në e ushqimeve: Kërkoni ndjesë pensionistëve për…

29
0

Debate të forta janë shënuar në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i grupit parlamentar të PL-së, Tedi Blushi u përplas ashpër me deputetin socialist Erion Braçe lidhur me premtimin e parealizuar për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore. Në fjalën e tij, Blushi i kërkoi mazhorancës dhe në veçanti deputetëve të Partisë Socialiste që të kërkojnë ndjesë publike qytetarëve dhe pensionistëve, për atë që e cilësoi si një mashtrim elektoral të bërë në vitin 2013.

Ai theksoi se ulja e TVSH-së ka qenë një premtim i drejtpërdrejtë i PS-së, i ripërsëritur edhe nga nënkryetari i komisionit, por që nuk është realizuar as pas 13 vitesh në pushtet.

Sipas Blushit, ulja e TVSH-së nga 20% në 5% për produktet bazë nuk është vetëm një masë ekonomike, por një akt social dhe moral në funksion të lehtësimit të kostos së jetesës për shumicën e shqiptarëve, veçanërisht për pensionistët dhe familjet në nevojë.

“Për një pensionist apo një familje në vështirësi ekonomike, nuk ka asgjë më jetike sesa të blejë bukën, qumështin, vezët, miellin apo vajin më lirë, sidomos në kushtet kur edhe këtë vit parashikohet rritje e inflacionit rreth 3%,” u shpreh ai. Deputeti opozitar bëri edhe krahasime me politikat fiskale të qeverisë, duke akuzuar mazhorancën se ka ulur barrën tatimore për oligarkët dhe bizneset e mëdha, ndërsa ka favorizuar resortet luksoze dhe blerësit e jahteve me përjashtime apo zero TVSH, por ka refuzuar të ndërhyjë për ushqimet bazë të qytetarëve.

Ai kritikoi gjithashtu dhënien e tokave publike me çmime simbolike për ndërtimin e resorteve dhe kullave, ndërkohë që, sipas tij, qytetarët më të varfër të vendit vazhdojnë të paguajnë ushqimet e shportës deri në 50% më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian. Në përfundim, Blushi i bëri thirrje Kuvendit të miratojë projektligjin për uljen e TVSH-së së produkteve bazë, duke theksuar se kjo do të ishte një masë në interes të drejtpërdrejtë publik dhe një hap për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të jetojnë me dinjitet.