Ballina Opinion Digjitalizimi ka hequr sportelin fizik, por ka shtuar atë elektronik

Digjitalizimi ka hequr sportelin fizik, por ka shtuar atë elektronik

29
0

Nga Ylli Manjani

Debati për AKSH-in dhe digjitalizimin nuk është vetëm penal. E kuptoj se është më interesant në publik të flitet për Mirlindën dhe “bëmat” e saj në përgjimet e Gysit apo Ermalit.

Në fakt debati real duhet të jetë mbi uff e pufff-et që të gjithë bëjmë sa herë kërkojmë një shërbim nëpërmjet E-Albanias dhe NUK E MARRIM dot në kohë, ose fare.

E vërteta është se nëpërmjet digjitalizimit të shëbimeve kryesore në vend, kanë rënë thuajse fare ato që quhen barriera fizike, dmth rradhë të gjata të pafundme në zyrat e shtetit për të marrë kartelën e freskët të pronës apo çertifikatën e lindjes.

Por është gjithashtu e vërtetë se jo në pak raste kontakti me punonjës të këtyre shërbimeve është i domosdoshëm për të sqaruar vonesat, gabimet apo paqartësitë. Sqarimet online janë kot me thënë të drejtën.

Por pyetja reale është nëse informacioni është digjital, përse duhet të kemi barrën të marrim dokumenta zyrtare që ti përdorim për aplikime?! Pse vendi ku aplikojmë nuk i merr vetë në burim informacionin që i duhet mbi atë që aplikon, familjen apo pronën, kuptohet me autorizimin përkatës dhe pagesën e tarifës?!

Kjo duhet të ishte reforma digjitale, pra heqja e barrës për të provuar veten me dokumenta digjitale. Duhet të jenë zyrat e shtetit ato që japin informacion real mbi mua dhe pretendimet që kam. Përse duhet që të aplikoj të marr një dokument elektronik, ta printoj se ma kërkon x apo x zyrë ku aplikoj për një shërbim?!

Pra çfarë fitova unë nga digjitalizimi?! Hoqa radhën fizike dhe u ngula në radhën elektronike. Te kjo e fundit pa patur një mundësi reale për tu ankuar.

Por më keq akoma nga ky proçes nuk u shmang barra administrative për të provuar fizikisht pretendimin që kam në aplikimin tim për leje ndërtimi fjala vjen.

Ajo që ndodh është se me një dokument elektronik të printuar nga unë dhe jo nga printerat autentikë të Kadastrës, dokumentat e së cilës dikur kishin firmë të njome e vulë të thatë, sot janë elektronike që kur printohen nga printerat privatë janë krejt të paverifikueshme!!! Ja pra që i gjithë mundi te radha digjitale që shpenzova mund të shkojë dhe dëm sepse dokumenti që printoj nuk është as autentik.

Pra përveç se barrierat adminiatrative nuk u hoqën, tashmë janë hequr edhe garancitë e sigurisë së dokumentit të pronës, të identitetit, apo të shërbimeve të tjera që marrim!!

Nga ana tjetër mirë që u bë digjitale, por përse kadastra nuk më jep opsionin që ka google maps fjala vjen, që unë të shoh në çdo kohë dokumentat e pronës sime?! Google maps ma tregon se ku e kam shtëpinë, Kadastra ime jo! Ç’a kuptimi ka kjo?!

Shkurt, reforma e digjitalizimit është ende larg standartit që kërkojmë. Digjitalizimi duhet të na i hiqte barrën që të bëjmë letra të freskëta pronash e çertifikatash gjithfare, jo të na e shtonte.

Pra që ta thjeshtoj me një shembull, nëse zyra e urbanistikës kërkon nga unë kopje të kartelës së freskët të pronës që tashmë e kam të regjistruar në rrugë digjitale, nuk ka asnjë kuptim ta kërkojë nga unë në letër fizike. Kjo sepse nuk e posedoj më dokumentin e pronës në letër fizike dhe se ky informacion jepet nga Katastra online.

Këtë info online zyra e urbanistikës mund ta marrë direkt nga kadastra me autorizimin tim për kundrejt tarifës përkatëse. Por jo të më ngarkojë mua më tej me barrë administrative.

Ky duhet të ishte qëllimi dhe arritja e digjitalizimit, jo thjesht heqja e sportelit fizik dhe shtimi i radhës në sportelin elektronik (e-albania).

Ky është debati që mua më intereson sot.
Fajet penale le ti gjykojë gjykata jo ne.