Ballina Aktualitet Kryeqytetasit paguan 10 vite taksë për arsimin, por u ndërtuan vetëm 9...

Kryeqytetasit paguan 10 vite taksë për arsimin, por u ndërtuan vetëm 9 shkolla nga 17 të premtuara

24
0

Pas përfundimit zyrtar (në fund të vitit 2025), taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore në Bashkinë Tiranë mbyllet me një bilanc të paplotë.

Nga 17 shkolla të reja të premtuara për t’u ndërtuar me të ardhurat e kësaj takse, janë realizuar vetëm 9, ndërsa 8 të tjera mbeten të parealizuara.

Të dhënat zyrtare nga Bashkia Tiranë tregojnë se, ndonëse për një dekadë janë mbledhur miliarda lekë nga familjet dhe bizneset, objektivi fillestar për t’i dhënë fund mësimit me dy turne përmes ndërtimit të shkollave të reja nuk është përmbushur plotësisht.

Si nisi taksa?

Taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore u miratua sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak (nr. 59/2015) dhe nisi të aplikohej nga 1 janari 2016.

Ajo mblidhej çdo muaj përmes faturës së ujit.

Ajo u prezantua si taksë e përkohshme, me një afat kohëzgjatjeje 7-vjeçar. Megjithatë, sipas ligjit nr. 68/2017 për Financat e Vetëqeverisjes Vendore, një taksë që është e përkohshme nuk mund të aplikohet më shumë se 3 vite.

Taksa mbështetej në një studim fizibiliteti të hartuar nga vetë Bashkia, sipas të cilit të ardhurat e mbledhura do të mjaftonin për ndërtimin e 17 shkollave të reja: 10 shkolla 9-vjeçare dhe 7 shkolla të mesme.

Ky plan u prezantua si zgjidhje strukturore për mbipopullimin e shkollave dhe mësimin me dy turne në kryeqytet.

Megjithatë, pas përfundimit të afatit fillestar, Bashkia vendosi zgjatjen e taksës deri në fund të vitit 2025, duke e kthyer një taksë “të përkohshme” në një barrë financiare prej një dekade për qytetarët.

Çfarë u ndërtua?

Ndërtimi i shkollave u realizua përmes skemës së Partneritetit Publik-Privat (PPP), të ndarë në 4 lote.

Kontratat u lidhën në formën e koncesionit PPP të tipit PBOT (Design-Build-Finance-Maintain), ku kompania private angazhohej për projektimin, financimin, ndërtimin, mobilimin, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin e objekteve.

Sipas kontratës, periudha totale zgjaste 7 vite e 18 muaj: 18 muaj për ndërtimin dhe 7 vite për mirëmbajtje, gjatë të cilave Bashkia shlyente investimin përmes pagesave periodike.

Koncesionari përfitonte një marzh fitimi prej 6.28% në vit.

Kontrata për Lotin 1 u lidh në vitin 2018, ndërsa për Lotin 4 në vitin 2020.

Loti “Tirana 1”

U ndërtuan 5 shkolla sipas planit:

  • Shkolla 9-vjeçare “Vaçe Zela” dhe Shkolla e mesme “Kristo Frashëri” (shkolla të bashkuara), njësia administrative nr. 9
  • Shkolla 9-vjeçare “Andrea Stefani”, njësia administrative nr. 11
  • Shkolla 9-vjeçare “Nënë Tereza” dhe Shkolla e mesme “John F. Kennedy” (shkolla të bashkuara), njësia administrative nr. 11

Loti “Tirana 4”

U ndërtuan 4 shkolla:

  • Shkolla 9-vjeçare “Bashkim Fino”, njësia administrative nr. 2
  • Shkolla 9-vjeçare “Kiço Blushi” dhe Shkolla e mesme “Sevasti Qiriazi” (shkolla të bashkuara), njësia administrative nr. 8
  • Shkolla 9-vjeçare “Luan Hajdaraga”, njësia administrative Dajt

Loti “Tirana 2”

Asnjë nga 4 shkollat e planifikuara nuk ka nisur të ndërtohet.

Parashikohej ndërtimi i 3 shkollave në njësinë Kashar (Yzberisht) dhe i 1 shkolle në njësinë administrative nr. 7.

Loti “Tirana 3”

Asnjë nga 4 shkollat e planifikuara nuk ka nisur të ndërtohet./Faktoje.al