Gjatë muajit janar, “Monitor” zhvilloi një vrojtim me analistë të tregut financiar lidhur, me faktorët që kanë ndikuar ecurinë e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut. Ekspertët u pyetën për të vlerësuar ndikimin e një liste faktorësh, në një shkallë që fillonte nga një deri në pesë.
Mbështetur në përgjigjet e tyre, faktori me peshën mesatare më të lartë në vijimësinë e rënies së kursit të këmbimit Euro-Lek ka qenë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Paneli i ekspertëve e ka vlerësuar këtë faktor me një ndikim 4.5 (nga një shkallë maksimale 5).
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, për të gjithë 9-mujorin 2025, të ardhurat neto nga turizmi arritën në 2.1 miliardë euro, në rritje vjetore me 19.6%.
Turizmi vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në zërin e të ardhurave në bilancin e pagesave të vendit.
Përveç turizmit, në përgjithësi sektori i shërbimeve vazhdon të japë një kontribut të lartë në rritjen e eksporteve të vendit. Për të gjithë 9-mujorin 2025, shërbimet sollën të ardhura neto në ekonomi në vlerën e pothuajse 3.5 miliardë eurove, në rritje me 16.4% krahasuar me një vit më parë.
Faktori i dytë më i zgjedhur nga ekspertët e anketuar janë remitancat. Mesatarisht, ndikimi i këtij faktori në kursin e këmbimit vlerësohet në nivelin 3.91.
Për 9-mujorin, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 817 milionë eurove, në rritje me 5.8% krahasuar me një vit më parë. Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë ringritur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit.
Faktori i tretë për nga ndikimi, sipas ekspertëve, janë prurjet informale të valutës, me një vlerësim mesatar në nivelin 3.83. Me një ndikim lehtësisht më të ulët vlerësohen prurjet e paligjshme të valutës, me një vlerësim mesatar 3.58.
Në perceptimin e përgjithshëm, flukset informale dhe të paligjshme kanë pasur gjithmonë një ndikim të konsiderueshëm në tendencat e kursit të këmbimit. Një perceptim të tillë duket se e ndajnë edhe ekspertët, që i rendisin ndër faktorët me ndikim në kursin e këmbimit.
Investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohen gjithashtu ndër faktorët me ndikim, me një nivel mesatar 3.66.
Sektori i pasurive të paluajtshme dominoi investimet e huaja për të katërtin vit radhazi në 2025, me një peshë gjithnjë e më të lartë. Për 9-mujorin 2025, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 403 milionë eurove. Vlera e investimeve të huaja në prona është rritur me 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Investimet në këtë sektor përbëjnë më shumë 33% të investimeve të huaja për këtë vit, nga 23% që zinin një vit më parë.
Në renditjen e vlerësimit mesatar të ekspertëve për faktorët që kanë ndikuar kursin e këmbimit, vijon bilanci tregtar, me një mesatare vlerësimi 3.25 dhe ulja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, në nivelin 2.83.
Publiku mendon se euro ra nga flukset informale
Për të ballafaquar mendimin e ekspertëve me mendimin e një publiku më të gjerë, “Monitor” realizoi mes fundit të muajit janar dhe fillimit të muajit shkurt një sondazh në faqen e saj të internetit. Pjesëmarrësit u pyetën për faktorët kryesorë që, sipas tyre, kanë përcaktuar rënien e kursit të Euros ndaj Lekut, me të njëjtat alternativa që iu parashtruan edhe ekspertëve.
Sipas përgjigjeve të sondazhit, në pjesën më të madhe pjesëmarrësit mendojnë se faktorët kryesorë që kanë sjellë rënien e kursit të Euros janë prurjet e paligjshme të valutës, me 36% të përgjigjeve dhe prurjet informale, me 30% të tyre.
Faktorët e tjerë vijojnë me diferencë të konsiderueshme, duke filluar nga turizmi, me 13% të përgjigjeve, investimet e huaja në prona, me 9% dhe remitancat, me 5%.
Rezultatet e sondazhi tregojnë se, në perceptimin e opinionit publik, ekonomia informale dhe e paligjshme është faktori me ndikimin kryesor në rënien e kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye mesatarisht vitin e kaluar me 97.85 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Megjithatë, shkalla e rënies së kursit në 2025 ishte ndjeshëm më e ulët krahasuar me dy vitet e mëparshme. Për vitin 2025, kursi mesatar zyrtar i këmbimit Euro-Lek pësoi një rënie me 2.8%, nga 7.4% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2024 dhe 8.6% që kishte qenë rënia gjatë vitit 2023.
Por, ngadalësimi i rënies së kursit mund të shpjegohet në një masë të konsiderueshme me ndërhyrjet e Bankës Qendrore. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara deri tani, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Në mungesë të këtyre blerjeve, kursi i këmbimit do të kishte pësuar një rënie edhe më të madhe. /Monitor.al/







