Ballina Politika Pas paralajmërimit të Ramës, PS nuk humb kohë. Nis ndryshimet për mbrojtjen...

Pas paralajmërimit të Ramës, PS nuk humb kohë. Nis ndryshimet për mbrojtjen e ministrave nga SPAK!

29
0

Në kushtet kur Gjykata Kushtetuese u nda 4 me 4 duke mos e dhënë një vendim për kërkesën e qeverisë nëse kërkesa e SPAK për pezullimin e Belinda Ballukut ishte ndërhyrje në punët e ekzekutivit, kryeministri Edi Rama të Hënën paralajmëroi se “grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion”.

Tch shkruan se, përjashtohet ngritja e një grupi pune me juristët e grupit parlamentar socialist.

Ndryshimet ligjore e më konkretisht të nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, kryeministri Rama duket se ia ka besuar ministrit të drejtësisë, Besford Lamallari.

Të njëjtat burime kanë treguar ndryshimet e mundshme të këtij neni.

Por fillimisht le të shikojmë se çfarë parashikon neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, për “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”  të cilin e përdori për herë të parë SPAK, kur kërkoi  pezullimin e Belinda Ballukut nga postet që mbante.

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Ndryshimet e pritshme të këtij neni parashikojnë moslejimin e pezullimit nga detyra të të gjithë funksionarëve, funksionet e të cilëve burojnë nga kushtetuta.

“Me vendimin që disponon pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik, gjykata i ndalon përkohësisht të pandehurit, plotësisht ose pjesërisht, veprimtarinë që lidhet me to. Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral përfshi, Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Anëtarët e Kabinetit Qeverisës, Avokatin e Popullit, Kreun e KLSH-së dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë”.

Me këtë ndryshim mazhoranca synon ti japë fund debatit sa politik dhe juridik nëse SPAK e më pas me miratimin e GJKKO ndërhynë në kompetencat e qeverisë.

Mbetet e paqartë koha se kur ky ndryshim do të shkojë për diskutim dhe miratim në parlament.