Më 20 shkurt, Partia Demokratike do të thërrasë sërish në protestë kombëtare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Lajmin e bëri të ditur kreu i PD-së, Sali Berisha, nga selia blu, duke e paraqitur këtë datë si moment vendimtar politik për opozitën.
Berisha theksoi se zgjedhja e 20 shkurtit nuk është rastësore, por mbart një simbolikë historike: në të njëjtën datë, në vitin 1991, në Tiranë u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, akt që shënoi një kthesë në lëvizjen demokratike të vendit.
“Kjo do të jetë dita jonë, dita e fitores së Partisë Demokratike. Nderim për të gjithë protestuesit. Fitore,” deklaroi Berisha, duke sinjalizuar se opozita synon ta kthejë protestën në një mobilizim të gjerë politik.
Ndërkohë, paralelisht me këto njoftime, tensionet e forta të regjistruara para Kuvendit kanë lënë pas një bilanc të rëndë dëmesh dhe të lënduarish. Përplasjet mes protestuesve dhe policisë sollën një numër të lartë efektivësh të dëmtuar, ndërsa në rrezik janë vënë edhe gazetarë e operatorë që po raportonin nga terreni.
Një prej tyre, operatori Aldo Kashri i News 24, rrezikoi seriozisht jetën pasi rrobat iu përfshinë nga flakët pas hedhjes së një molotovi. Ai arriti të shpëtojë falë ndërhyrjes së disa qytetarëve që e ndihmuan të shuante zjarrin.
I lënduar mbeti edhe deputeti i PD-së, Bledion Nallbati, i cili u shoqërua për trajtim në QSUT.
Momentet më të tensionuara u regjistruan përpara godinës së Kuvendit, ku policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Përplasjet, tymi dhe kaosi krijuan një skenë të rëndë, duke rikthyer pamje të ngjashme me protestat e mëparshme të opozitës.
Në këtë klimë tensioni, protesta e paralajmëruar për 20 shkurt pritet të jetë një tjetër test i fortë për raportin mes opozitës, qeverisë dhe institucioneve të rendit.







