Ballina Kronika Rrëfehet në GJKKO ortaku i Nuredin Dumanit: 100 mijë euro për të...

Rrëfehet në GJKKO ortaku i Nuredin Dumanit: 100 mijë euro për të vrarë Lul Mashën. Në radion e policisë dëgjoja…

28
0

Ish i penduari i drejtësisë Henrik Hoxhaj, ortak në dhjetra vrasje me Nuredin Dumanin po vijon rrëfimin e tij në GJKKO në procesin e pagëzuar si “Plumbi i Artë”.

Ai ka rrëfyer tentativën për vrasjen e Lulzim Mashës, pronar i një shkolle private në Tiranë.

“Unë kisha porosi nga Nuredin Dumani për djalin e Mashës, jo për Lulzimin. Emrin e djalit se kujtoj, por Nuredini më tregoi një foto, më tregoi shtëpinë, shkollën. Djalin s’po e gjenim dot. Di që një nga vëllezërit Dizdari ka qenë i fejuar me vajzën e Mashës. Dhëndri ka hedhur disa prona në emër të vjehrrit e kunatit. Dhëndri u nda nga vajza dhe këta nuk i kanë kthyer ato lekë a prona pas. Ne nuk po e gjenim dot djalin e Mashës, se rrinte në Maqedoni”, deklaroi Henrik Hoxha.

Ai u shpreh se për vrasjen e djalit të Lulzim Mashës u diskutua për një çmim prej 150 mijë euro, ndërsa për vetë Lulzimin për 100 mijë euro.

“E ruajtëm Lulzimin për gati një vit, se e lamë çikë pas dore ne. Prandaj u angazhua Sakati, që do na jepte informacion nëse ai futej në Shqipëri. Nuredini thoshte se djali i Mashës mashtronte njerëzit në Maqedoni. Ne e pritëm, por nuk erdhi. Pastaj morëm masa, që të vrisnim të atin, që djali të vinte në varrim dhe ta vrisnim. Bashkë me Skerdin (Skerdi Tase i penduar i drejtësisë) e kemi ndjekur Mashën disa herë me motor. E kemi ndjekur në rrugën që bënte. Për ngjarjen përdorëm një “Golf 4” të lodhur. Nuredini na e gjeti. Kjo sepse me motor mund të binim në sy. Për ngjarjen unë përdora një menaxher që kisha te lokali në Tiranë. I thashë do më lajmërosh kur të shohësh këtë person, sepse më ka lekë borxh. Ai na njoftoi. Shkova atje bashkë me Skerdi Tasin. E lashë Skerdin dhe vetë u vendosa diku ku nuk kishte kamera. Pastaj lëviza. Goditjen nuk e dëgjova, se arma qe me silenciator”, u shpreh më tej Henrik Hoxha.

Ai tha para gjykatës se kishte radio policie dhe se dëgjonte gjithçka ndodhte.

 

“Me Skerdin u takuam tek 21-shi. Skerdi më tha, i qëllova dy herë, por më ngeci arma. Unë i dëgjoja në radio komunikimet e policisë, kur thonin ‘një person kështu ashtu, me karakteristikat e Skerdit’”, deklaroi ish i penduari./ vijon