Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen protestës që do të mbahet sot në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ në orën 17:00. Në një dalje për mediat, Berisha tha se protesta do të bëhet kundër Ramës, sipas tij njeriut që për vjedhjet e tij është i gatshëm që të shkelmojë interesat jetike të vendit.
“Pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar.
Unë erdha përsëri t’u drejtoj thirrjen time si shqiptari shqiptarit, të bashkohemi sot në bulevardet e rrugët e Tiranës në një nga momentet më kritike të historisë tonë.
Sot në Bruksel përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën para tyre narko diktatorin e parë të kontinentin Edi Ramën. Patën para tyre njeriun që për vjedhjet e tij dhe organizatës kriminale është i aftë e i gatshëm në papërgjegjshmëri të plotë të shkemojë dhe interesat më jetike të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Patën para tyre njeriun që i detyroi përfaqësuesit e vendeve kryesore të BE t’i nxjerrin jo kartonin e kuq, por kartonin e zi, mundësinë e shpërbërjes së plotë të udhëtimit tonë 32 vjeçarë drejt BE-së.
Kupa e Ramës është derdhur prej kohësh, ndaj dhe sot më shumë se kurrë duhet të jemi në bulevard e rrugë për të përcjellë mesazhin se nuk pajtohemi kurrë me një organizatë hajdutësh që u ka vjedhur shqiptarëve shuma përrallore buxheti dhe ka vendosur ligjin e mafies. Tani do me çdo kusht t’u vjedhë shqiptarëve të ardhmen europiane”, tha ai.







