Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, foli pas fitores 1-2 ndaj Teutës në Kupë. Ai u shpreh se ky triumf në sfidën e parë është mjaft i rëndësishëm.
“Normalisht kishim bërë rotacion me goxha lojtarë, na shërbeu mirë. Vetëm pjesa e golit, në ekuilibër me dy lojtarë të Teutës, është e pafalshme. Lojtarë që nuk janë në balancë me rrezen e portës. Por mendoj që e administruam mirë dhe morëm atë që deshëm.
Mendoj se vonë ishte Rodrigues te marrja e pozicionit, ngaqë është i ri në skuadër. Sota e kishte në dispozicion atë pjesë. Plus, te presingu i Teutës nuk ishim të rrezikuar shumë në daljen e topit. Në pjesën e dytë qëlluan dy momente, por kur merr përsipër të mbash topin, ka edhe këto rreziqe.
Qëllimi i ndryshimit ishte që te futja e dy sulmuesve, që të fitonim ndeshjen. Duke parë minutat e fundit që u tërhoqëm tek një e dyta jonë, kundërshtari përdori goditjet standarde. Këto janë ndeshje që zgjidhen me 1 situatë. Duhet të ishim të kujdesshëm, pasi në ndeshje Kupe s’ka rikuperim, shumë shpejt eliminohesh.
Ka ndeshje kthimi, por 1 gol në Kupë bën diferencën, nuk është maratonë si kampionati që mund të rrezikosh. Siç e patë ishim poshtë tek 2 e 3-ta në mbrojtje. Administruam mirë, s’lamë hapësira për kundërshtarin. Gjatë lojës e kemi pasur nën kontroll, por në Kupë ndodhin këto gjëra pasi është kompeticion tjetër.
Kursimtarë në energji, të mundej Teuta apo të ruanit energji? Të dyja. Lojtarët që duhej të pushonin, pushuan sot. Ndeshjet janë të ngjeshura dhe normalisht mos ta bëjë diferencën asnjë lojtar”, tha Tetova.







