Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin fajtor për dy anëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe falsifikim dokumentesh.
Në përfundim të gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues i përbërë nga Erjon Çela, Flora Hajredinaj dhe Rudina Palloj, dënoi përfundimisht me 12 vjet e 8 muaj burgim shtetasin Gëzim Bakalli (i njohur edhe me emrin Shkembim Cërmanji) dhe me 8 vjet burgim shtetasin Erjon Loci.
Sipas vendimit, dy të dënuarit do ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Gëzim Bakalli (Cërmanji) u shpall fajtor për “Trafikim të narkotikëve” dhe “Drejtim të grupit të strukturuar kriminal”. Atij iu bashkuan edhe akuzat për falsifikim të dokumenteve, letërnjoftimeve dhe akteve të gjendjes civile. Ndonëse dënimi i tij i bashkuar arriti në 19 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar (zbritja e 1/3), ai do të kryejë 12 vite e 8 muaj.
Ndërsa Erjon Loci u deklarua fajtor për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” si pjesëmarrës në grupin e strukturuar kriminal. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij nga 12 vite zbriti në 8 vite burgim.
Sekuestrimet dhe provat materiale
Gjatë procesit gjyqësor, Gjykata urdhëroi asgjësimin e dokumenteve kosovare të falsifikuara (pasaportë, patentë dhe letërnjoftim) të përdorura nga Bakalli. Ndërkohë, një sërë provash të tjera materiale të sekuestruara gjatë kontrolleve në banesa, do të mbeten pjesë e fashikullit hetimor për procedime të ndara.
Ndër sendet e sekuestruara që do të mbahen për llogari të hetimeve pasuese përfshihen pasaporta italiane dhe dokumente zvicerane, sende luksi si syze “Gucci”, orë dore “Hublot” (në kuti Rolex) dhe varëse floriri, si dhe pajisje teknologjike si iPhone dhe një laptop MacBook Pro.
Shpenzimet dhe mundësia e ankimit
Të dënuarit janë ngarkuar gjithashtu me pagesën solidare të shpenzimeve procedurale në vlerën e rreth 43 mijë lekëve. Vendimi i GJKKO-së nuk është përfundimtar pasi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit.







