Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, projekti më i madh aeroportual në ndërtim në vend, është kthyer në një betejë të hapur juridike mes aksionerëve, me pasoja që sipas kompanisë zviceriane MABCO-s prekin jo vetëm pronësinë dhe investimin, por edhe sigurinë publike dhe potencialisht financat e shtetit shqiptar.
Në një konferencë për mediat, përfaqësuesit e kompanisë së Behgjet Pacollit deklaruan se, ndonëse zotëron 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare, aktualisht janë përjashtuar nga çdo e drejtë vendimmarrjeje, në atë që e quajnë “shpronësim faktik” me vendim gjykate.
Konflikti lidhet me një kontratë të pretenduar për transferimin e 47% të kuotave tek ortaku minoritar 2A Group që aktualisht ka vetëm 2% të aksioneve, ndërsa paralelisht janë dhënë dy vendime për sigurim padie nga Gjykata e Shkallës së Parë, që sipas kompanisë kanë pezulluar në tërësi të drejtën e votës për 98% të kuotave.
Një vendim i ndërmjetëm i Apelit i kishte dhënë të drejtë kompanisë zviceriane për të vazhduar punimet, por masa u rivendos sërish nga Shkalla e Parë.
Përfaqësues të kompanisë MABCO në konferencën për mediat, në lidhje me situatën e krijuar për aeroportin e Vlorës
Këshilltarja e MABCO, Ornela Çuçi, foli me tone alarmi për situatën e krijuar duke u shprehur se: “Praktikisht sot që ne jemi duke folur, MABCO që zotëron zyrtarisht 98% të aksoneve të këtij aeroporti është zhveshur plotësisht nga çdo e drejtë vendimmarrjeje duke çuar kështu në një shpronësim të saj, ndonëse ka investuar gati 18 milion euro nga pronat e saj. Shto këtu edhe shumën që është investuar në aeroport nga kredia e marrë nga Banka Kombëtare Tregtare.”
Sipas saj, pasojat nuk janë vetëm korporative. Ato prekin drejtpërdrejt sigurinë dhe ecurinë e projektit.
“Sot jo vetëm që nuk kemi një aeroport të gatshëm, por mbi të gjitha nuk kemi një aeroport të sigurt sepse askush nuk e ka audituar se sa i sigurt është ky aeroport. Dhe ajo që MABCO kërkon është që të vlerësojë përmes një kompanie që është ndër më të njohurat në botë për certifikimin e aeroporteve, për certifikimin e masave të sigurisë, e teknikës, e mënyrës se si funksionon një aeroport që është SGS, e cila, po do të paguhet sërish e theksoj që do të merret përsipër të paguhet nga aksioneri 98% i këtij aeroport,” tha Çuçi.
Në thelb, kompania pretendon se është lënë jashtë çdo mekanizmi kontrolli mbi një projekt që e ka financuar me kolaterale të konsiderueshme.
Sipas të dhënave të bëra publike, kredia prej 57 milion eurosh e marrë nga shoqëria koncesionare është garantuar me asete të MABCO-s, ndërsa ortaku minoritar ka barrësuar vetëm kuotat e veta.
Avokati i kompanisë, Ervin Metalla, e përshkroi situatën si një përmbysje të logjikës së ligjit tregtar: “Dhe nëse Gjykata e Apelit nuk e shqyrton çështjen në kohë, sikurse radhën e parë, MABCO rezulton e shpronësuar. Ka 98% të kuotave dhe është e shpronësuar de facto me vendim gjykate.”
Ai shtroi publikisht një pyetje që në fakt është thelbi i debatit juridik: “Ju më pyesni me të drejtë: A ka të drejtë ortaku me 2% të përjashtojë ortakun që ka 98%? Jo! Nuk ka diskutim!”
Sipas Metallas, pezullimi i plotë i së drejtës së votës për 98% të kuotave është një precedent i rrezikshëm për sigurinë juridike të investimeve strategjike.
Nëse kjo situatë zgjat, paralajmërimi është i qartë: konflikti mund të zhvendoset në arbitrazh ndërkombëtar, me pasoja financiare për shtetin shqiptar, duke qenë se bëhet fjalë për një kontratë koncesionare.
Ndërkohë, drejtori juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, deklaroi se situata ka kaluar përtej vendimit formal të gjykatës, duke u shoqëruar me veprime që ai i konsideron abuzive.
“Mirë që gjykata ka vendosur pezullimin e të drejtës së votës, por ka edhe një zhvillim interesant që unë besoj, ortaku me pakisë, me 2% e ka përvetësuar totalisht shoqërinë VIA tani dhe mirë që nuk na le të votojmë, sipas vendimit të gjykatës, por as na informon kur ka mbledhje asambleje, që unë jam i detyruar të informohem, të vij të marr pjesë.”
Ai shtoi se: “Pra ka eksese, përtej vendimit të gjykatës i cili është i papranueshëm ligjërisht, ka eksese për mënyrën se si po zbatohet vendimi i gjykatës.”
Në thelb, sipas MABCO-s, aksioneri minoritar 2A Group jo vetëm ka përfituar nga vendimet e padrejta të gjykatave, por ka marrë kontroll të plotë mbi administrimin e shoqërisë, pa transparencë dhe pa përfshirjen e investitorit kryesor.
Nëse pretendimet e kompanisë provohen në themel, rasti i Aeroportit të Vlorës rrezikon të kthehet në një precedent të rëndë për klimën e investimeve në Shqipëri: një aksioner me 98% që deklaron se është i përjashtuar nga prona e vet dhe një projekt strategjik i bllokuar në mes të proceseve gjyqësore ku preket siguria e një infrastrukture që pritet të mirëpresë mijëra pasagjerë.
Në pritje të vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit, gjyqi për Aeroportin e Vlorës rezulton të jetë një çështje e dyshimtë për sigurinë juridike të koncesioneve dhe për koston që mund të paguajë shteti shqiptar nëse kjo çështje përfundon përtej kufijve, në një sallë arbitrazhi ndërkombëtar.







