Ballina Bota Akuzohet se helmoi burrin për të përfituar dëmshpërblim 3.6 mln euro dhe...

Akuzohet se helmoi burrin për të përfituar dëmshpërblim 3.6 mln euro dhe më pas shkroi një libër për fëmijë, arrestohet 35-vjeçarja

0
18

Një 35-vjeçare ka dalë para gjykatës në Utah të SHBA-ve, e akuzuar për helmimin e bashkëshortit të saj në vitin 2022 me qëllim përfitimin e rreth 3.6 milionë dollarëve nga sigurimi i jetës dhe pasuria e tij. Sipas aktakuzës, Carrie Richins, e cila punonte si agjente pasurish të paluajtshme, i ka dhënë bashkëshortit të saj 39-vjeçar, Eric Richins, një dozë vdekjeprurëse fentanili të përzier në një pije, me pretekstin e festimit të një shitjeje prone. Prokuroria pretendon se kjo ishte hera e dytë që ajo përpiqej ta helmonte, pasi disa javë më herët dyshohet se kishte përzier opioid në një sanduiç.

Pas arrestimit, 35-vjeçarja kishte deklaruar se pasi i çoi pijen bashkëshortit, kishte rënë në gjumë në shtratin e njërit prej fëmijëve për shkak të maktheve dhe se, kur u kthye në dhomën e gjumit, e kishte gjetur Ericin pa shenja jete. Megjithatë, prokurorët pretendojnë se ajo ndodhej në vështirësi financiare dhe se motivi i saj ishte përfitimi nga sigurimi i jetës dhe pasuria e bashkëshortit.

Dosja hetimore përmend gjithashtu mesazhe që Richins dyshohet t’i ketë dërguar një burri me të cilin kishte lidhje, Robert Grossman, një zejtar me të cilin bashkëpunonte. Sipas dokumenteve, një ditë pas përpjekjes së parë të dyshuar për helmim, ajo i kishte shkruar: “Nëse Eriku do të mund të largohej…jeta do të ishte perfekte”. Një javë para helmimit fatal, ajo i kishte dërguar një tjetër mesazh ku thuhej: “Jeta do të jetë ndryshe, të premtoj. Prit deri të premten”. Richins u arrestua në maj 2023. Vitin e kaluar, prokurorët ngritën edhe 26 akuza shtesë ndaj saj në një çështje të veçantë që lidhet me krime financiare të dyshuara. Rreth një vit pas vdekjes së bashkëshortit, 35-vjeçarja publikoi një libër me figura për fëmijë me titullin “A je me mua?”, që trajton temën e pikëllimit. Në një intervistë televizive një muaj para arrestimit, ajo kishte deklaruar: “Vdekja e Erikut na tronditi të gjithëve. Ne kemi tre djem të vegjël, 10, 9 dhe 6 vjeç, dhe unë dhe fëmijët e mi shkruam këtë libër për emocionet dhe procesin e zisë që kemi përjetuar gjatë vitit të kaluar.”.

Libri, i cili iu kushtua “bashkëshortit tim të mrekullueshëm dhe babait tim të mrekullueshëm”, shitej për 14.99 dollarë dhe u tërhoq nga Amazon pas arrestimit të saj. Ai përshkruhej si një “lexim thelbësor për çdo fëmijë që ka përjetuar humbjen dhe për prindërit që duan t’u ofrojnë mbështetje emocionale fëmijëve të tyre”. Procesi gjyqësor ndaj saj vijon.