Ballina Aktualitet Fshatrat pa investime drejt braktisjes, të rinjtë largohen drejt emigrimit

Fshatrat pa investime drejt braktisjes, të rinjtë largohen drejt emigrimit

25
0

Segmenti rrugor prej 5 kilometrash që lidh qytetin e Ballshit me qendrën e fshatit Gjerbës ndodhet në gjendje të rënduar amortizimi. Banorët e zonës shprehen se prej vitesh rruga nuk ka njohur asnjë investim, duke u kthyer në një problem serioz për përditshmërinë e tyre.

Sipas tyre, gjendja e infrastrukturës ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në shpopullimin e fshatit. Shumë familje janë larguar, ndërsa të rinjtë kanë emigruar dhe nuk janë kthyer më, për shkak të mungesës së kushteve minimale të jetesës.

Disa prej banorëve theksojnë se elektrifikimi i zonës është realizuar para viteve ’90, dhe që nga ajo kohë nuk është parë asnjë investim për ripërtëritjen e linjës së elektrifikimit.

Ata shtojnë se ky segment rrugor lidh disa fshatra dhe ka qarkullim të lartë automjetesh gjatë gjithë ditës, por për shkak të gropave dhe dëmtimeve të shumta, amortizimi i mjeteve është i shpeshtë.

Përballë kësaj situate, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për rehabilitimin e rrugës dhe garantimin e shërbimeve bazë, duke u shprehur se ndihen të harruar si nga pushteti vendor, ashtu edhe nga ai qendror.

Ndërkohë, kryebashkiaku Qerim Ismailaj ka deklaruar se i është drejtuar me kërkesë Fondit Shqiptar të Zhvillimit për rikonstruksionin e këtij segmenti rrugor, të cilin e cilëson jetik për banorët e zonës.