Ballina Ekonomia KLSH: Dështimi i institucioneve la qytetarët të pambrojtur përballë ujit të ambalazhuar...

KLSH: Dështimi i institucioneve la qytetarët të pambrojtur përballë ujit të ambalazhuar të papërshtatshëm për konsum

29
0

Skandali i ujit të ambalazhuar nuk qëndron vetëm te disa mostra që kanë dalë jashtë standardit, por te mënyra si institucionet u sollën kur këto raste u shfaqën: disa nuk bashkëpunuan me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), ndërsa vetë AKU, edhe kur u vu në dijeni, nuk veproi me forcën dhe rigorozitetin që kërkon mbrojtja e shëndetit publik.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), mbi cilësinë e ujit të pijshëm të ambalazhuar, evidenton një sistem kontrolli të copëzuar, me përgjegjësi të paqarta dhe me boshllëqe që rrezikojnë konsumatorin.

Sipas rregullave në fuqi, strukturat rajonale të shëndetit publik duhet të kryejnë monitorimin e jashtëm të ujit të pijshëm, përfshirë ujin e ambalazhuar, me frekuenca të përcaktuara sipas volumit të prodhimit. Por pas ndryshimeve ligjore të vitit 2020 për inspektimin higjieno-sanitar, sugjeron raporti, ky funksion në praktikë u ndërpre. Strukturat e shëndetit publik dhe vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e interpretuan se përgjegjësia i kishte kaluar vetëm AKU-së.

Në këtë konfuzion institucional, AKU kontrollon kryesisht produktin final të ambalazhuar, ndërsa nuk monitoron fazën e prodhimit në stabiliment apo në burim. Kjo fazë mbetet në duart e vetë subjektit prodhues. Me fjalë të thjeshta, shteti sheh shishen e mbyllur, por jo gjithmonë atë që ndodh para se uji të hyjë në shishe. Për KLSH-në, kjo krijon një boshllëk të qartë monitorimi, një rrezik për gjurmueshmërinë dhe sigurinë e produktit dhe një dobësi të madhe në mbrojtjen e konsumatorit.

KLSH nënvizon se institucionet shëndetësore që analizojnë ujin e ambalazhuar nuk kanë bashkëveprim me AKU-në për rastet që rezultojnë jokonform. Në VKM-në për cilësinë e ujit përcaktohet se kur vlerat parametrike nuk respektohen, struktura rajonale e shëndetit publik klasifikon ujin si të përshtatshëm ose të papërshtatshëm, rekomandon masat për rivendosjen e cilësisë dhe informon institucionet përkatëse. Por në praktikë, të paktën në Tiranë, kjo hallkë nuk funksionoi.

Sipas të dhënave të marra nga NjVKSH Tiranë, gjatë viteve 2020–2024 janë konstatuar 26 raste jokonform në analizat mikrobiologjike të ujit të ambalazhuar dhe janë rianalizuar 28 kampione, të cilat më pas kanë rezultuar të përshtatshme për konsum. E dhëna më problematike, thekson KLSH, është se këto raste të identifikuara nga NjVKSH Tiranë nuk janë raportuar te AKU apo te institucionet e tjera të parashikuara në rregullore; ato i janë komunikuar vetëm subjektit që ka kërkuar analizën. Në terma praktikë, kjo do të thotë se AKU nuk merrte sinjalin e nevojshëm për të aktivizuar mekanizmat e kontrollit: ndalimin e shpërndarjes, urdhërimin e masave korrigjuese, verifikimin e procesit dhe, nëse duhet, informimin e publikut. KLSH thekson se mosinformimi e bën të pamundur reagimin institucional në kohë.

E njëjta qasje evidentohet edhe te Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili kryen analiza me kërkesë të subjekteve publike dhe private. Edhe aty, interpretimi i rezultatit i jepet vetëm kërkuesit. Gjatë viteve 2020–2023 janë kryer 30 analiza mostrash të ujit të burimeve natyrore dhe ujit të ambalazhuar, dhe 13 prej tyre kanë rezultuar jokonforme, por edhe këto raste nuk janë adresuar në institucione të tjera. Për KLSH-në, kjo do të thotë se mungon një përgjigje e koordinuar ndaj rrezikut dhe mbizotëron një qasje e fragmentuar, joefektive dhe që dëmton besueshmërinë publike.

Raporti i KLSH-së evidenton se edhe kur AKU ka ndërhyrë në rastet e ujit jokonform, ndjekja administrative dhe teknike ka qenë shpesh e dobët dhe e paplotë. Në vitet 2021, 2022 dhe 2024 u konstatuan shkelje serioze, por munguan prova për zbatimin e masave, analiza e burimit të ndotjes dhe vlerësimi i rrezikut. Në disa raste, aktiviteti u lejua të rifillonte pa verifikim të plotë, ndërsa produkte problematike u konsumuan nga publiku. Po ashtu, u vunë re standarde të dyfishta në trajtimin e subjekteve të ndryshme. Si pasojë, sistemi i kontrollit mbeti i fragmentuar dhe konsumatori u la pa mbrojtje reale./ekofin.al