Ballina Politika Ministrja Spiropali në lozhën 26 mijë euro në Operën e Vjenës, ndërsa...

Ministrja Spiropali në lozhën 26 mijë euro në Operën e Vjenës, ndërsa nesër votohet ligji për Shërbimin e Jashtëm

28
0

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger (Neos), është e vetmja politikane e qeverisë austriake që do të ketë një lozhë të sajën në Balon e Operës së Vjenës. Sipas medias austriake Politik Live, ajo do të presë mysafirë shtetërorë nga Filipinet dhe Shqipëria, ku për Shqipërinë pritet të marrë pjesë ministrja e Jashtme Elisa Spiropali.

Të enjten mbahet në Operën Shtetërore eventi më i madh social i vitit, por këtë herë me një prani minimale politike.

Sipas rregullave, lozha nderi falas i takojnë vetëm Presidentit Federal dhe Kancelarit. Të gjitha lozhat e tjera duhet të financohen nga vetë pjesëmarrësit. Çmimet janë rekord: një lozhë në ballkon kushton 26 mijë euro, ndërsa një biletë hyrjeje arrin 410 euro.

Arsyeja pse ekzistojnë vetëm dy lozha falas lidhet me rolin ceremonial: qeveria përbën “presidiumin e nderit”, ndërsa Presidenti Federal mban “mbrojtjen e nderit” të Balos së Operës.

Ndërsa Presidenti Alexander Van der Bellen dhe bashkëshortja e tij Doris Schmidauer do të përfaqësojnë kryesinë e shtetit, në radhët e qeverisë do të mungojë Kancelari Christian Stocker (ÖVP), i cili ndodhet në Bruksel për një angazhim të BE-së. Megjithatë, ai do të zëvendësohet zyrtarisht në ceremoni.

Ministrja shqiptare Elisa Spiropali do të jetë e ftuar në një lozhë që kushton mbi 26 mijë euro, së bashku me një përfaqësuese shtetërore nga Filipinet. Në fakt nesër pritet të miratohet në Kuvend ligji për Shërbimin e Jashtëm, një nga aktet më të rëndësishme që prek organizimin, karrierën dhe funksionimin e diplomacisë shqiptare.

Në praktikë, kjo do të thotë se ministrja e Jashtme do të jetë në Vjenë për një mbrëmje gala me muzikë klasike pikërisht në ditën kur Parlamenti pritet të votojë ligjin që prek drejtpërdrejt institucionin që ajo drejton.

Në këtë kontekst, duket se diplomacia shqiptare do të ketë një mbrëmje më “harmonike” në Vjenë sesa debati për ligjin e saj në Tiranë. Ndërsa Kuvendi pritet të votojë një ligj që prek arkitekturën e shërbimit të jashtëm, ministrja e Jashtme do të ketë mundësinë të ndjekë valset e Strauss-it nga një lozhë 26 mijë euro — një kujtesë elegante se, ndonjëherë, muzika klasike duket më urgjente se diplomacia moderne./vna