Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi midis bashkisë së Korçës dhe bashkisë Chambery (Francë), Muzeu i Arteve të Bukura të Chambéry do të hapë ekspozitën e përkohshme ndërkombëtare me Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, Fjoralba Prifti, ndau detaje nga ky projekt, i cili vjen si fryt i një vullneti të përbashkët për hapje evropiane dhe dialog ndërkulturor.
Ekspozita, që do të titullohet “Ikonat e Shqipërisë, thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, do të mbahet nga 12 qershori deri më 15 nëntor 2026, në Muzeun e Arteve të Bukura të Chambéry. Ajo do të paraqesë një përzgjedhje prej rreth 45 ikonash shqiptare nga koleksioni i jashtëzakonshëm i MKAM.
Ekspozita do të ofrojë një lexim kronologjik të prodhimit të ikonave në rajonin ortodoks të Korçës dhe jo vetëm, nga shekulli XIV deri në fillim të shekullit XX, duke i lejuar vizitorët të njihen me traditën bizantine dhe postbizantine të pikturës së ikonave, ikonografinë dhe evolucionet e saj.
Në ekspozitë do të përfshihen veprat më të hershme, të zbuluara në kishat shkëmbore të Prespës dhe të datuara në shekullin XIV, të cilat do të dëshmojnë për estetikën paleologe, të karakterizuar nga harmonia e ngjyrave dhe fuqia e linjave.







