Ballina Ekonomia Banka Botërore skeptike për Fondin e sigurimit nga tërmetet dhe përmbytjet

Banka Botërore skeptike për Fondin e sigurimit nga tërmetet dhe përmbytjet

16
0

Ekofin.al raportoi i pari, në fund të muajit korrik, daljen në konsultim publik të projektligjit për sigurimin e detyrueshëm nga tërmetet, një nismë që synon krijimin e një skeme kombëtare mbrojtjeje financiare për banesat. Më pas, po Ekofin raportoi edhe për versionin më të fundit të draftit, tashmë në fazën e konsultimit ndërinstitucional, ku skema është zgjeruar duke përfshirë jo vetëm tërmetet, por edhe përmbytjet si rrezik i detyrueshëm për t’u siguruar.

Në këtë fazë të avancuar të procesit, në debat është përfshirë edhe Banka Botërore, e cila ka ngritur shqetësime të qarta mbi mënyrën se si parashikohet të ndërtohet dhe të funksionojë Fondi që do të administrojë skemën.

Sipas raportimit të bërë nga A2 CNN, institucioni financiar ndërkombëtar e sheh me skepticizëm modelin e propozuar nga qeveria shqiptare, i cili parashikon krijimin e Fondit si një shoqëri aksionare në pronësi shtetërore, e përfaqësuar nga Ministria e Financave.

“Projektligji propozon krijimin e Fondit si një shoqëri aksionare në pronësi shtetërore e përfaqësuar nga Ministria e Financave. Ne kemi ndarë më parë shqetësimet tona me Ministrinë mbi një model të tillë. Ne rekomandojmë strukturën e një Fondi të menaxhuar nga një operator teknik profesional, në vend të një Shoqërie Aksionare dhe dëshirojmë t’ju drejtojmë drejt modelit të Pool-it të Sigurimit të Detyrueshëm nga Tërmeti në Turqi”, citohet Banka Botërore.

Institucioni ndërkombëtar rekomandon që Fondi të mos funksionojë si një ndërmarrje tipike shtetërore, por të menaxhohet nga një operator teknik profesional, duke sjellë si shembull modelin turk të Pool-it të Sigurimit nga Tërmeti (TCIP), i njohur si një strukturë hibride me bazë ligjore të posaçme.

Sipas Bankës Botërore, institucioni homolog në Turqi është krijuar me një ligj të dedikuar për të ofruar sigurim nga tërmeti në zonat e banuara dhe nuk funksionon si shoqëri aksionare apo si ent publik klasik. Ai operon mbi bazën e një kuadri të vet ligjor dhe prokurimi, duke qenë i përjashtuar nga rregulloret standarde që zbatohen për ndërmarrjet shtetërore, menaxhimin financiar publik apo auditimin tradicional.

“Zgjedhja e strukturës ligjore është kritike për të siguruar që Fondi të jetë i pavarur, i besueshëm dhe efikas, me rregulla të qarta për llogaridhënie publike por me fleksibilitet operacional. Mbikëqyrja ministrore idealisht duhet të fokusohet në objektivat strategjike dhe jo në menaxhimin e përditshëm. Siç është projektuar aktualisht, struktura e propozuar mund të bëhet burokratike, me disa shtresa administrative, dhe shumë e varur nga drejtimi qeveritar, gjë që mund të kufizojë kapacitetin profesional dhe pavarësinë operacionale të Fondit”, thekson Banka Botërore.

Paralajmërimi është i qartë: pa një strukturë të pavarur dhe të drejtuar profesionalisht, Fondi rrezikon të humbasë besueshmërinë dhe të mos funksionojë në mënyrë efektive në rast emergjencash, pikërisht në momentin kur do të duhet të aktivizohet për të përballuar pasojat financiare të fatkeqësive natyrore.

Debati mbi modelin institucional vjen në një kohë kur Shqipëria mbetet një nga vendet me ekspozimin më të lartë sizmik në rajon, ndërsa përmbytjet janë bërë gjithnjë e më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si do të ndërtohet Fondi: nëse si një shoqëri aksionare shtetërore apo si një strukturë e pavarur me operator teknik, pritet të jetë një nga çështjet më të debatueshme në fazën finale të miratimit të ligjit.