Katër muajt e ardhshëm mund të jenë edhe të fundit për Antonio Konten në pankinën e Napolit. Emri i tij është sërish në qendër të vëmendjes, sidomos pas eliminimit të radhës të Napolit, këtë herë nga Kupa e Italisë, e shoqëruar me një shpërthim nervash në konferencë për shtyp lidhur me arbitrat dhe titujt mediatikë.
Trajneri nga Salento u përpoq të imitonte Zhoze Mourinhon, pa e përmendur drejtpërdrejt. Një “Konte 3” duket i vështirë për t’u imagjinuar dhe me shumë gjasa në qershor do të vijë ndarja me presidentin De Laurentis. “Nëse do të isha në vend të presidentit të Napolit, nuk do ta konfirmoja”, u shpreh Nando Orsi në ‘Radio Radio’.
– “Këtë sezon ka bërë shumë keq. Ka fituar një kampionat ndoshta të dhuruar nga Interi, por nuk ka qenë ndonjë mrekulli”. Orsi shtoi më tej. “Më ka zhgënjyer në menaxhim dhe në mënyrën e lojës.
Flet për arbitrat vetëm kur i leverdis. Më pëlqen si trajner, por ndonjëherë pak autokritikë do t’i bënte mirë”, thotë ai. Por kush mund ta zëvendësojë? Sipas gazetarit Xhovani Skoto, gjithashtu i ftuar në “Radio Radio”, De Laurentis pëlqen dy profile, Vinçenco Italiano (siç dihet tashmë) dhe Rafaele Paladino.







