Ballina Kuriozitete Leximi dhe mësimi i gjuhëve të huaja mund të ulin rrezikun e...

Leximi dhe mësimi i gjuhëve të huaja mund të ulin rrezikun e demencës me gati 40%

22
0

Leximi i rregullt, shkrimi dhe mësimi i një apo më shumë gjuhëve të huaja mund të ulin rrezikun e zhvillimit të demencës me pothuajse 40%. Ky është përfundimi i një studimi të ri amerikan, i cili sugjeron se angazhimi mendor gjatë gjithë jetës mund të ndihmojë në parandalimin ose vonimin e sëmundjes së Alzheimerit.

Demenca konsiderohet një nga sfidat më të mëdha shëndetësore në nivel global. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2050 numri i personave që jetojnë me këtë sëmundje pritet të arrijë mbi 150 milionë, duke trefishuar shifrat aktuale.

Studimi, i realizuar nga studiues të Qendrës Mjekësore të Universitetit Rush në Çikago dhe i publikuar në revistën “Neurology”, përfshiu 1,939 persona me moshë mesatare 80 vjeç, të cilët në fillim nuk kishin demencë. Ata u ndoqën për rreth tetë vite.

Rezultatet treguan se personat me nivelin më të lartë të angazhimit në aktivitete që stimulojnë trurin, si leximi, shkrimi, vizitat në bibliotekë apo muze dhe mësimi i gjuhëve të huaja kishin 38% më pak rrezik për të zhvilluar Alzheimer dhe 36% më pak rrezik për dëmtim të lehtë njohës.

Nga pjesëmarrësit me nivelin më të lartë të “pasurimit njohës”, vetëm 21% zhvilluan Alzheimer, krahasuar me 34% të atyre me nivelin më të ulët. Për më tepër, tek ata që ishin më aktivë mendërisht, sëmundja u shfaq mesatarisht pesë vite më vonë.

Autorja e studimit, Andrea Zammit, theksoi se shëndeti i trurit në moshë të thyer ndikohet ndjeshëm nga mjedisi intelektual gjatë gjithë jetës. Sipas saj, investimet në arsim të hershëm dhe në akses më të madh në biblioteka e programe edukative mund të kenë ndikim real në uljen e rasteve me demencë.

Megjithatë, studiuesit sqarojnë se studimi tregon vetëm një lidhje mes aktivitetit mendor dhe rrezikut më të ulët për demencë, por nuk provon drejtpërdrejt se këto aktivitete e parandalojnë sëmundjen.

Ekspertë të pavarur vlerësojnë se gjetjet përforcojnë mesazhin se demenca nuk është një pjesë e pashmangshme e plakjes dhe se mbajtja e trurit aktiv mund të jetë një nga hapat më të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit mendor në moshë të avancuar.