Është arrestuar në Arezzo autori i dyshuar për vrasjen e 25-vjeçarit shqiptar Kevin Muharremi, i cili u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në Montecalvoli, në provincën e Pizës.
Sipas mediave italiane, i ndaluari është një bashkëkombës i viktimës. Ai u bllokua nga forcat e rendit në segmentin e autostradës A1 që kalon në zonën e Arezzos, ndërsa për ngjarjen po hetojnë karabinierët e komandës provinciale të Pizës.
Sipas të dhënave paraprake, Kevin Muharremi u qëllua me një ose më shumë plumba teksa ndodhej në automjet me dy miq të tij. Ai ishte ulur në sediljen e përparme, në anën e pasagjerit, kur një automjet tjetër iu afrua dhe nga aty u qëllua me armë zjarri. Një prej plumbave e ka goditur në qafë, duke i shkaktuar vdekjen.
Hetuesit po punojnë për të rindërtuar motivin e krimit. Nga informacionet e para dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur në kulmin e një sherri, që mendohet të ketë nisur më herët në një bar në zonën Capanne. Pista kryesore mbetet ajo e një konflikti të përshkallëzuar, ndërsa nuk përjashtohet edhe mundësia e një atentati të paramenduar.
Para arrestimit, karabinierët e njësisë hetimore të Pizës mblodhën dëshmi në vendngjarje dhe analizuan pamjet e kamerave të sigurisë në zonë. Më pas u shpërnda një njoftim kërkimi për personin e dyshuar si autor i të shtënave, i cili ishte larguar menjëherë pas krimit.
Mediat italiane kanë publikuar edhe foton e të riut shqiptar, i cili përshkruhet nga të njohurit si një djalë punëtor dhe pa precedentë penalë. Ai punonte në një lavazh makinash, punë me të cilën siguronte jetesën e tij.
Miq dhe familjarë kanë zgjedhur të mos prononcohen publikisht për ngjarjen e rëndë.
Krimi ka tronditur komunitetin në Santa Maria a Monte dhe Fuceçhio, zona të konsideruara përgjithësisht të qeta. Autoriteti Gjyqësor vijon hetimet për të hedhur dritë të plotë mbi rrethanat, motivin dhe përgjegjësitë penale në këtë ngjarje të rëndë.







