Ballina Editorial Berisha duke sulmuar Bashën po ndihmon Ramën

Berisha duke sulmuar Bashën po ndihmon Ramën

0
32

Nga Ermal Peçi

Edi Rama po kalon një nga momentet më të vështira politike të karrierës së tij. SPAK i ka hyrë në zemër të Kryeministrisë, dje njeriu i tij i afërt, ish-sekretari i përgjitshëm Agaçi, pas tre orësh në SPAK dha dorëheqjen, ndërkohë që një tjetër figurë e afërt i njohur si kordinatori i krimit, Agasi, është në kërkim nga ky institucion.

Në këtë situatë, pikërisht kur qeveria Rama është në momentin më të dobët, Berisha duhet të jetë fokusuar në luftën kundrejt Ramës dhe pse nuk po mblidhet komisioni i mandatëve për Ballukun. Por Berisha ka zgjedhur të rikthehet tek sulmet e vazhdueshme ndaj Lulzim Bashës, duke zhvendosur vëmendjen nga problemi i vërtetë. Kjo sjellje i jep “oksigjen” politik dhe mediatik Ramës dhe krijon përshtypjen se mes tyre ekziston një marrëveshje e heshtur, Berisha shpërqendron opozitën dhe bëhet barrikadë ndërsa Rama mbetet i paprekur.

Debati publik sot duhet të ishte i përqendruar tek sulmet e hapura të Ramës ndaj SPAK-ut, institucionit që u ngrit si shpresë për drejtësi të pavarur. Por energjia opozitare kanalizohet diku tjetër: në beteja personale dhe shpifjet që artikulon Berisha kundër Bashës. Kjo duket qartësisht në sulmet e Berishës ndaj Bashës, të cilat nuk kanë efekt politik real. Siç thotë Machiavelli: “Ai që lufton armikun e gabuar, shpesh i shërben miqve të fshehtë.” Basha sot nuk ka rol institucional dhe nuk mund të ndikojë në vendimmarrjen aktuale, ndërkohë që Rama vazhdon të godasë SPAK-un dhe institucionet që duhet të mbajnë pushtetin përgjegjës.

Në terren, realiteti është i dukshëm: protestat e thirrura nga Berisha janë të vogla dhe pa impakt, duke u krahasuar me ato të Bashës në vitin 2019. Madje, Berisha nuk ka fuqinë për të çarë as kordonin e policisë përballë Kryeministrisë, duke konfirmuar dobësinë e tij politike për të prodhuar ndonjë rotacion real. Megjithatë, ai vazhdon të qëndrojë aty.

Në thelb, duket se Rama dhe Berisha ndodhen në një hall të përbashkët, hall që e ka emrin SPAK. Njëri e sulmon hapur, tjetri e përdor si flamur selektiv, por të dy e dinë se drejtësia e pavarur është faktori që ua prish qetësinë politike. Në këtë lojë, Berisha po luan rolin që i duhet Ramës: të shpërqendrojë vëmendjen nga problemet reale, të mbajë të ndezur konfliktin e vjetër dhe të bëhet pengues i rotacionit politik.
Siç ka thënë Aristoteli: “Miqtë e vërtetë duket se ndajnë fatin dhe interesin, edhe kur nuk flasin.”
Ndoshta ky është paradoksi i kohës sonë, jo miqësi e shpallur, por një bashkëjetesë e heshtur interesi.