Ballina Politika Berisha sulmon Salianjin: Është pasardhës i Bashës dhe një lloj “Dash Sula”...

Berisha sulmon Salianjin: Është pasardhës i Bashës dhe një lloj “Dash Sula” që keqpërdoren nga Rama

28
0

Kreu i PD, Sali Berisha, ka sulmuar sërish ish-deputetin e PD, Ervin Salianji, duke e quajtur si pasardhës i Lulzim Bashës. Në bashkëbisedimin që zhvilloi me qytetarët në facebook, Berisha i quajti këta të fundit të keqpërdorur nga Edi Rama, duke i etiketuar si një lloj “Dash Sule” me petkun e demokratit.

“Mendoj se demokratët u bashkuan, por përsëri, mbi bazën e kontributit që kanë, unë nuk ia mohoj asnjë njeriu. Nuk bëhet fjalë këtu për Bashën dhe pasardhësin e tij Salianji. Për këta nuk mund të bëhet fjalë, sepse këta janë fatkëqinj, njërëz të keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Edi Rama. Mund të thuash, janë deshër të errësirës. E patë çfarë bëri Dash Sula, këta janë një lloj Dash Sule me petkun e demokratit. S’kanë asgjë të përbashkët me PD, as njëri as tjetri”, tha Berisha.

Duket qartë që kreu i PD përplasjen brenda partisë e ka në të njëjtin agjendë me betejën për rrëzimin e Edi Ramës, për të cilin ka lajmëruar protestën e radhës kombëtare në 20 shkurt.

Megjithatë, duket se ende nuk ka arritur të bind qytetarët që i bashkohen në protestë për të qëndruar në Bulevard deri në rrëzimin e qeverisë. Ai tha se ideja për t’u mos u larguar nga sheshi është më e drejta, por sipas tij në dorë e kanë qytetarët.

“Nuk e ndërpresim kryengritjen pa rrëzuar narkoshtetin. Ideja juaj që të mos largohemi nga sheshi është absolutisht ideja më e drejtë. Në momentin më të parë që qytetarët do të vendosin, ajo do të jetë edhe faza përfundimtare e ditores tonë”, tha ai.

Berisha gjithashtu paralajmëroi zgjerimin e formave të protestës, duke përfshirë edhe organizime në aeroporte, porte dhe rrugë kryesore të vendit.