Nga Roland Lami
Ka diçka thellësisht poetike gati mistike në idenë që kryeministri Edi Rama arrin të mbetet i pastër ndërkohë që rreth tij bien njëri pas tjetrit si bashkëpunëtorë nën hetim, në paraburgim apo të dënuar për korrupsion. Në një ambient të kontaminuar, vetëm një organizëm mbetet imun. Shkenca nuk njeh ndonjë rast apo gjallesë ku i gjithë ambjenti është i infektuar dhe ajo mbijeton e pacënuar dhe e paprekur nga ambjenti. Rasti i kryeministrit tonë është sui gener që duhet studiuar pasi mund të ndërtohet ndonjë paradigmë e re shkencore.
Nga një këndvështrim psikologjik, kemi të bëjmë me një formë klasike të racionalizimit mbrojtës. Kur je në opozitë, korrupsioni është sistem, kur je në pushtet, ai bëhet çështje karakteri individual. Mirëpo, nëse sistemi është i korruptuar, dhe ti je në krye të sistemit, atëherë ose e ke trashëguar ose e ke toleruar ose e ke riprodhuar. Më e lehtë është të thuash se disa individë “të dobët” tradhtuan besimin. Por edhe kjo tezë ka probleme pasi kur lista e “tradhtarëve” fillon të duket si listë kabineti, lind një problem logjik. Sa individë duhen që fenomeni të quhet kulturë? Sa arrestime duhen që rastësia të quhet model? Max Weber për këtë tezë mbrojtje do të kundërpërgjigjej me tezën, pushteti është zgjedhje dhe përgjegjësi. Zgjedhjet e gabuara të përsëritura nuk janë më fat i keq, janë metodë rekrutimi. Në të tilla kushte nuk i shpëton përgjegjëdisë.
Ja po tentojmë ta lexojmë situatën si një rast të rrallë të asaj që psikologjia e quan “distancim moral”, ku kryeministri pretendon se unë jam vizionari, të tjerët janë thjesht administratorë që nuk e përballojnë dot tundimin për tu korruptuar. Si të thuash lideri pikturon të ardhmen, ndërsa ministrat pikturojnë tenderat. Sa herë që njëri bie, tabloja rifreskohet me të njëjtën tipologji dhe e shoqëruar me të njëjtin justifikimi “Faji është individual”. Le të pranojmë një moment që faji është individual pasi penalisht ashtu është, por politikisht nuk qëndron. Këtu na vjen në ndihmë një perspektivë tjetër më cinike mbi pushtetin. Niccolò Machiavelli i cili do ta shihte përgjegjësinë e princit jo si çështje morale private, por si çështje kontrolli mbi rrethin e tij. Nëse oborri është i korruptuar, princi ose nuk kontrollon ose përfiton ose mbyll sytë. Në çdo rast, ai nuk është figurë e jashtme ndaj fenomenit. Në politikë, pafajësia e vazhdueshme e liderit në mes të fajësisë së vazhdueshme të oborrit nuk është virtyt është problem strukture.
Kështu mbetet ironia e madhe të jesh i vetmi i pastër në një rreth të papastër mund të tingëllojë heroike, por në logjikën e pushtetit kjo është më shumë paradoks sesa meritë. Ose ke ndërtuar një sistem që prodhon vazhdimisht “individë të dobët”, ose je arkitekti i një morali selektiv ku përgjegjësia bie gjithmonë poshtë, por kurrë lart. Në të dy rastet, teza e fajit individual fillon të tingëllojë si strategji komunikimi, jo si analizë politike apo përgjegjësi penale.
Në fund, çështja nuk është nëse një lider shpallet i papërlyer por nëse ai pranon peshën politike të zgjedhjeve të veta. Sepse pushteti nuk është dekor, është përgjegjësi. Siç theksonte John Stuart Mill, “bad men need nothing more to compass their ends, than that good men should look on and do nothing.” Në politikë, të mos veprosh, të mos parandalosh, të mos marrësh përgjegjësi për rrethin që ke ndërtuar është po aq domethënëse sa veprimi vetë. Kur përgjegjësia kufizohet vetëm te vartësit dhe kurrë te drejtuesi, kemi një standard të dyfishtë moral. Historia zakonisht është më pak e interesuar për deklaratat e pafajësisë, sesa për gjurmët e sistemit që një lider lë pas.







