Një mini-palcë kurrizore e rritur në laborator ka treguar se molekulat e ashtuquajtura kërcyese mund të ndihmojnë në shërimin e paralizës. Studiuesit në Universitetin Northwestern kanë krijuar modelin më të avancuar deri tani të dëmtimit të palcës kurrizore njerëzore, duke përdorur organoide të zhvilluara nga qeliza burimore.
Këto organoide janë versione të vogla dhe të thjeshtuara të palcës kurrizore, por që imitojnë me shumë saktësi dëmtimet reale tek njerëzit. Për herë të parë, ato riprodhuan tipare kryesore të traumës, si vdekja masive e qelizave, inflamacioni dhe formimi i cikatriceve gliale. Këto cikatrice krijojnë barriera fizike dhe kimike që bllokojnë riparimin e nervave.
Kur organoidet e dëmtuara u trajtuan me terapinë e “molekulave që kërcejnë”, e cila më parë kishte rikthyer lëvizjen te kafshët, rezultatet ishin shumë premtuese. Indi i dëmtuar filloi të prodhonte rritje të reja nervore (neurite), ndërsa indi i ngjashëm me cikatricen u reduktua ndjeshëm. Këto gjetje forcojnë shpresat se kjo terapi, e cila ka marrë tashmë status të veçantë nga FDA-ja, mund të ndihmojë edhe njerëzit me dëmtime të palcës kurrizore. Studimi u publikua më 11 shkurt në revistën Nature Biomedical Engineering.
Organoidët u zhvilluan gjatë disa muajve, derisa përmbanin neurone, astrocite dhe për herë të parë edhe mikroglia, qeliza imune që luajnë rol kyç në inflamacion. Kjo e bëri modelin shumë më realist. Studiuesit krijuan dy lloje dëmtimesh: prerje, që imitojnë plagët kirurgjikale, dhe shtypje, të ngjashme me dëmtimet nga aksidentet apo rëniet.
Terapia e molekulave që kërcejnë jepet si injeksion dhe brenda indeve formon një rrjet nanofibrash që i ngjan strukturës natyrore të palcës kurrizore. Sa më shpejt të lëvizin këto molekula, aq më efektive është ndërveprimi i tyre me qelizat. Eksperimentet treguan se molekulat më dinamike nxisnin më shumë rigjenerimin nervor sesa ato më të ngadalta.
Sipas studiuesve, çelësi i suksesit qëndron te lëvizshmëria molekulare, e cila rrit sinjalizimin qelizor dhe proceset natyrore të riparimit. Në të ardhmen, ekipi synon të krijojë modele edhe më të avancuara, përfshirë dëmtime kronike afatgjata. Këto mini-palca kurrizore mund të hapin rrugën për trajtime të personalizuara, duke përdorur qeliza burimore të vetë pacientëve dhe duke ulur rrezikun e refuzimit imunitar.







