Ballina Ekonomia Tatimet kërkojnë deklarimin e të ardhurave nga platformat online deri më 31...

Tatimet kërkojnë deklarimin e të ardhurave nga platformat online deri më 31 mars 2026

29
0

Administrata Tatimore ka sjellë në vëmendje të individëve detyrimin për deklarimin e të ardhurave të realizuara gjatë vitit 2025 përmes Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA-2025), duke theksuar se afati përfundimtar është 31 mars 2026.

Sipas njoftimit zyrtar, çdo e ardhur e përfituar gjatë vitit, përmes llogarive bankare apo çdo forme tjetër pagese, përfshirë ato fizike ose elektronike, duhet të deklarohet. Kjo përfshin të ardhurat e realizuara nga individët nëpërmjet platformave ndërkombëtare si Meta (Facebook, Instagram, WhatsApp), Google, YouTube, Airbnb, Booking dhe platforma të tjera të ngjashme, si dhe pagesat e arkëtuara përmes sistemeve si PayPal.

Administrata Tatimore thekson se disponon të dhëna mbi të ardhurat e qarkulluara nëpërmjet këtyre platformave dhe paralajmëron se çdo mosdeklarim do të përballet me penalitetet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Ky paralajmërim vjen në kuadër të rritjes së transparencës fiskale dhe forcimit të monitorimit të ekonomisë digjitale, e cila vitet e fundit ka njohur zgjerim të ndjeshëm në Shqipëri.

Thirrja u drejtohet veçanërisht individëve që gjenerojnë të ardhura nga reklamat online, marketingu digjital, krijimi i përmbajtjes, qiradhënia afatshkurtër përmes platformave turistike apo shërbime të tjera të ofruara në distancë. Autoritetet fiskale nënvizojnë se deklarimi i saktë dhe brenda afatit ligjor është detyrim, ndërsa për më shumë informacion qytetarët mund të konsultojnë faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Me afrimin e periudhës së deklarimeve, ky mesazh synon të rikujtojë se ekonomia digjitale tashmë është pjesë integrale e sistemit tatimor dhe se të ardhurat e gjeneruara online trajtohen njësoj si çdo burim tjetër fitimi.