Ballina Politika Denoncimi i fortë i studiuesit Muka: Rama ka emëruar në krye të...

Denoncimi i fortë i studiuesit Muka: Rama ka emëruar në krye të AKSHI-t një plagjiaturist

76
0

Studiuesi Taulant Muka ka denoncuar publikisht atë që e cilëson si një rast të qartë plagjiature nga drejtori i ri i Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Igli Tafa.

Sipas Mukës, një artikull shkencor i publikuar në vitin 2011 nga Tafa përmban pjesë të kopjuara fjalë për fjalë nga studime të mëhershme ndërkombëtare. Ai ngre pikëpyetje mbi standardet profesionale në drejtimin e një institucioni kyç që administron sistemet digjitale shtetërore dhe të dhënat e qytetarëve.

Më poshtë, postimi i plotë i Taulant Mukës:

“Dashuria e Kryeministrit Rama për plagjiaturën s’ka fund…

Artikulli shkencor i vitit 2011 i Igli Tafës, drejtorit të ri të AKSHI, është kopjuar fjalë për fjalë (copy–paste) nga studime të publikuara më herët në Malajzi dhe Indi. Mes mijërave shqiptarëve të arsimuar, Kryeministri sërish provon se plagjiaturën e ka kriter për drejtuesit.

Bëhet fjalë për studimin: “A Survey of QoS Routing Protocols for Ad Hoc Networks” (2011), i cili rezulton identik me pjesë nga dy artikujt e Aisha-Hassaan (2008) dhe I. Latha (2009).

AKSHI është institucioni që administron sistemet digjitale të shtetit dhe të dhënat e qytetarëve. Si mund të drejtohet një institucion kaq kritik nga dikush me një precedent të tillë?

Dhe pyetja tjetër: a është vetëm ky artikull i tij 100% copy–paste?

Rasti nuk duket i izoluar: edhe ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, e kemi treguar për doktoraturën 100% plagjiaturë.

Pas gjithë ngjarjeve të rënda që lidhen me AKSHI, janë të qarta pasojat kur institucione kritike drejtohen nga njerëz me standarde të ulëta profesionale.”