Ballina Europë E frikshme/ Burri tenton të rrëmbejë vajzën 18-muajshe nga nëna në supermarket,...

E frikshme/ Burri tenton të rrëmbejë vajzën 18-muajshe nga nëna në supermarket, fëmija pëson thyerje të këmbës

38
0

Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e së shtunës në Bergamo të Italisë, ku një burrë ka tentuar të rrëmbejë një vajzë 18-muajshe në hyrje të një supermarketi.

Fëmija ka pësuar thyerje këmbëve nga përleshja e prindëve dhe grabitësit, ndërsa autori është arrestuar nga policia.

Sipas raportimit Corriere della Sera, incidenti ndodhi rreth orës 13:00 në supermarketin “Esselunga” në rrugën “Corridoni”. Familja babai, nëna dhe vajza e tyre po largohej nga ambientet e marketit kur një i panjohur iu afrua papritur pranë hyrjes.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të sekuestruara nga policia, tregojnë se 47-vjeçari, shtetas rumun dhe pa vendbanim të qëndrueshëm, e kapi fëmijën nga këmba e djathtë. Nëna reagoi menjëherë dhe nuk e lëshoi vajzën, ndërsa burri tentoi ta tërhiqte drejt brendësisë së supermarketit. Gjatë përplasjes, nëna u rrëzua dhe u tërhoq zvarrë për disa çaste, por arriti ta mbante vajzën.

Babai ndërhyri menjëherë, la karrocën me blerjet dhe e goditi agresorin, duke e rrëzuar në tokë. Roja e sigurisë së supermarketit dhe disa klientë e neutralizuan 47-vjeçarin deri në mbërritjen e policisë, e cila e mori në ndalim.

Vajza u dërgua më pas në spitalin “Papa Giovanni” në Bergamo, ku mjekët konstatuan thyerje të femurit.

Autoritetet po hetojnë motivet e ngjarjes. Deri tani nuk rezulton që 47-vjeçari ta njihte familjen, e cila është italiane. Sipas të dhënave paraprake, ai nuk ka precedentë penalë dhe nuk rezulton me diagnoza psikiatrike të certifikuara, megjithëse priten verifikime të mëtejshme. Nuk është ende e qartë prej sa kohësh ndodhej në Bergamo.

Prokurorja e çështjes, Giulia Angeleri, ka urdhëruar dërgimin e tij në burg. Në ditët në vijim, prokuroria do të kërkojë nga gjykata konfirmimin e arrestit për akuzat e rrëmbimit të mbetur në tentativë, të rënduar nga mosha e viktimës, si dhe për plagosje të rënduar.