Fillimet e shkrimit me hieroglife datojnë që në lindjen e Egjiptit të lashtë, në fund të mijëvjeçarit të katërt para Krishtit. Pikërisht në këtë periudhë u shfaqën për herë të parë një sërë shenjash figurative, kryesisht me paraqitje kafshësh. Disa shenja u gdhendën në shkëmbinj, si mbishkrimi i zbuluar së fundmi në El Khawy, ndërsa të tjera u shënuan në statuja guri (shembuj mbresëlënës janë tre kolosët prej guri gëlqeror nga faltorja në Coptos). Shenja figurative janë gjetur edhe në etiketa të vogla prej fildishi dhe enë të vendosura në varret e sundimtarëve të hershëm, si etiketat e gjetura në varrin U-j në Abydos. Studiuesit ende diskutojnë nëse këto shenja të hershme mund të quhen shkrim i mirëfilltë apo thjesht simbole që përfaqësonin koncepte pa lidhje të drejtpërdrejtë me gjuhën.
Mbishkrimet e para që plotësojnë qartë kriteret e hieroglifeve datojnë rreth vitit 3150 para Krishtit. Ato tregojnë disa tipare tipike të këtij sistemi shkrimi. Për shembull, ka logograme,shenja që përfaqësojnë drejtpërdrejt objektin që paraqesin, si dhe shenja me vlerë vetëm fonetike, të ngjashme me shkronjat e alfabetit tonë. Shpesh, këto shenja fonetike u zhvilluan nga logogramet e para. Për shembull, shenja e gojës (𓂋), që në egjiptisht quhej “ra”, përdorej për të shënuar tingullin “r” në fjalë të tjera që e përmbanin këtë tingull.
Mbishkrimet më të hershme me hieroglife ishin shumë të shkurtra dhe zakonisht përmbanin emrin e një mbreti ose të një vendi. Ato shpesh gdhendeshin në objekte ceremoniale, si paletat. Në Paletën e Narmerit, për shembull, gjendet emri i Narmerit, i konsideruar si mbreti i parë i Egjiptit të bashkuar. Emri shkruhet me dy shenja: një mustak (𓆢) dhe një daltë (𓍋), të vendosura brenda një simboli të quajtur “serekh”, që përfaqësonte pallatin mbretëror dhe tregonte mbretërinë. Në mënyrë të ngjashme, emrat e qyteteve vendoseshin brenda një simboli që paraqiste një vend të rrethuar me mure. Si “serekh”-u ashtu edhe simboli i rrethimit nuk shqiptoheshin, por tregonin vizualisht kategorinë ku bënte pjesë emri. Me zhvillimin e sistemit të shkrimit, kjo klasifikim kuptimor u shënua me shenja të pashqiptuara në fund të fjalëve, të quajtura përcaktues ose klasifikues.
Shkrim i shenjtë
Në Egjiptin e lashtë, hieroglifet ishin shumë më tepër sesa një mjet praktik komunikimi. Egjiptianët i quanin shenjat e tyre “medu netcher”, “fjalët e zotit” ose “fjalë të shenjta”, sepse besonin se shkrimi me hieroglife ishte shpikje e perëndisë Thoth dhe kishte fuqi krijuese e magjike. Tekstet nuk krijoheshin thjesht për t’u lexuar; më e rëndësishmja ishte që ato të siguronin efektin mbrojtës dhe magjik të fjalëve hyjnore. Kjo shpjegon pse shenjat shkruheshin jo vetëm në papirus dhe stela, por edhe në monumente arkitekturore, statuja, mobilie, objekte funerare dhe madje në sende të përditshme si veshjet.
Mbrojtje e përjetshme
Ishte e zakonshme që muret e tempujve egjiptianë të mbuloheshin plotësisht me hieroglife, dhe shumë prej tyre janë ruajtur deri sot. Edhe pse pamja është mahnitëse, qëllimi nuk ishte vetëm zbukurimi. Përdorimi i hieroglifeve në tempuj lidhej me rolin e tyre në botëkuptimin egjiptian. Fjala “tempull” në Egjiptin e lashtë ishte “menu”, që vjen nga folja “men”, që do të thotë të qëndrosh, të vendosesh, të jesh i përhershëm. Tempujt prej guri u ndërtuan me idenë se do të zgjatnin përjetësisht, dhe tekstet e gdhendura në to pasqyronin këtë ide. Arkitektura e tempullit shihej si një përfaqësim i vogël i universit, ndërsa gjithçka jashtë zonës së shenjtë përfaqësonte kaosin para krijimit. Fasadat e jashtme shpesh zbukuroheshin me relieve që paraqisnin faraonët duke luftuar armiqtë e tyre, një betejë tokësore që pasqyronte luftën mes rendit dhe kaosit. Kështu, historia dhe feja bashkoheshin në një të vetme.
Lutje në mure
Brendësia e tempujve dhe varreve shpesh mbulohej plotësisht me hieroglife, nga dyshemeja deri në tavan. Në dhomat e tempullit gdhendeshin tekste rituale që priftërinjtë i recitonin para statujave të perëndive. Rreth dyerve vendoseshin tekste që tregonin cilët nivele të priftërisë lejoheshin të hynin në dhomën tjetër dhe çfarë kërkesash pastërtie duhej të plotësonin.
Brenda varreve kishte tekste që lidhen me rituale për të mbajtur gjallë kujtimin e të ndjerit. Në shumë varre mbretërore, këto tekste e shndërronin hapësirën nëntokësore në një përfaqësim fizik të botës së përtejme, ku faraoni hynte pas vdekjes.
Statuja dhe stela
Përveç mureve të tempujve dhe varreve, hieroglifet gdhendeshin edhe në shumë objekte të tjera. Stela, pllaka të mëdha, zakonisht prej guri, përmbanin tekste të gjata fetare, dekrete mbretërore ose përshkrime fushatash ushtarake. Në statuja, teksti zakonisht kufizohej në emrin, titullin dhe lidhjet familjare të personit, por ndonjëherë gjendeshin edhe tekste të gjata me cilësi të lartë letrare. Këto mund të përfshinin biografi të detajuara ose gjenealogji që shkonin disa shekuj pas. Disa statuja u projektuan posaçërisht me sipërfaqe të sheshta për të gdhendur tekste të gjata, si të ashtuquajturat “statuja bllok”, që nga gjoksi e poshtë kishin formë kubike. Statuja e Nebmerutefit, një skrib i dinastisë së 18-të, tregon një mënyrë tjetër interesante të gdhendjes së tekstit. Ai paraqitet duke lexuar një papirus nën mbikëqyrjen e perëndisë Thoth. Papirusi është i hapur mbi prehrin e tij dhe mbi të është shkruar një tekst që përshkruan titujt e tij dhe shërbimet që kishte kryer për mbretin.
Objektet e përdorura në praktikat e varrimit shpesh gdhendeshin gjithashtu me hieroglife. Në këtë rast, qëllimi ishte të sigurohej që emri i të ndjerit të kujtohej përgjithmonë dhe t’i jepej atij mbrojtja e nevojshme në udhëtimin drejt jetës së përtejme. Për këtë arsye, formula magjike-fetare të marra nga tekste si Libri i të Vdekurve shkruheshin në arkivole, kuti dhe maska funerare.
Nga dinastia e 30-të e tutje, u bë zakon që këto formula të shkruheshin edhe në fashat prej liri që mbështillnin trupin e të ndjerit. Duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me mumien, besohej se ato ofronin mbrojtje shtesë, përtej asaj të amuleteve të vendosura mes fashave. Formula të tilla gjenden edhe në dyert prej druri të disa varreve, si ai i Sennedjemit në Deir el-Medina, ku kishin rol mbrojtës, duke ruajtur pjesën më të cenueshme të varrit.
Efekti magjik i hieroglifeve nuk kufizohej vetëm në jetën e përtejme. Egjiptianët mbanin amulete të zbukuruara me shkrimin e shenjtë. Ka dëshmi se gjatë Periudhës së Tretë Ndërmjetëse (rreth viteve 1075–715 para Krishtit), njerëzit rrotullonin shirita të gjatë e të ngushtë papirusi me formula magjike dhe i mbanin brenda varëseve. Një nga këta shirita, i ruajtur në Muzeun Britanik dhe që ndoshta është mbajtur nga një foshnjë, është rreth 50 cm i gjatë, ndoshta sa gjatësia e vetë fëmijës.
Stenografia egjiptiane
Megjithëse egjiptianët besonin se hieroglifet kishin fuqi magjike, ata përdornin edhe një formë të thjeshtuar për qëllime praktike, si administrata dhe letërsia. Shenjat e thjeshtuara mund të shkruheshin shpejt, me një ose dy lëvizje peneli të lagur me bojë. Që në dinastinë e dytë (2890–2686 para Krishtit), kjo formë kursive u standardizua në atë që quhet shkrimi hieratik. Për ta bërë shkrimin më të shpejtë, disa grupe shenjash bashkoheshin me lidhje të posaçme, në mënyrë që të shkruheshin me një lëvizje të vetme.
Materiali më i përdorur për shkrimin hieratik ishte papirusi. Papiruset më të vjetra të ruajtura datojnë nga koha e mbretërimit të Khufu (rreth 2589–2566 para Krishtit). Këto dokumente përbëjnë ditarin e një zyrtari të quajtur Merer, i cili drejtonte një grup të madh ndërtuesish që punonin në Piramidën e Madhe në Giza. Në to, Merer shënon detaje për shpërndarjen e blloqeve të gurit, nga cilat gurore vinin, si transportoheshin dhe si paguheshin punëtorët. Nga periudha e Mbretërisë së Mesme e më tej, shkrimi hieratik u përdor edhe për tekste letrare në papirus.
Në shekullin e shtatë para Krishtit, me ngritjen e dinastisë së 26-të, u zhvillua një formë edhe më e thjeshtuar e shkrimit hieratik. Shenjat e kësaj forme, të njohura si shkrimi demotik, janë aq të thjeshtuara sa origjina e tyre nga hieroglifet nuk duket qartë. Shkrimi demotik u përdor deri në mesin e shekullit të pestë pas Krishtit, rreth 50 vjet pas mbishkrimit të fundit të datuar me hieroglife. Në atë kohë, egjiptianët nuk e kuptonin më sistemin e shkrimit me hieroglife që kishte përcaktuar qytetërimin faraonik për mijëra vjet dhe që ende zbukuronte tempujt dhe varret e vendit të tyre.







