Ballina Aktualitet “Ahmetaj drejt ekstradimit”, Doçi zbulon: Rrezikon të kthehet në Shqipëri përpara SPAK-ut,...

“Ahmetaj drejt ekstradimit”, Doçi zbulon: Rrezikon të kthehet në Shqipëri përpara SPAK-ut, nën hetim për..

94
0

Gazetari Adriatik Doçi është shprehur se një ekip nga Zvicra kreu kontrolle në burgjet shqiptare, për të verifikuar pretendimet e ish-zv.kryeministrit për ambiente të papërshtatshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Komentet Doçi i bëri në një emision televiziv, ku tha se Ahmetajt, pavarësisht kërkesës, ende nuk i është pranuar azili politik në Zvicër, ç’ka tregon se mundësia për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë mbetet e hapur.

“Janë dy procese, dy dosje për Arben Ahmetajn. Çështja e privatizimit të pasurive publike që po ecën dhe dosja me rolin e tij në të ashtuquajturën afera e inceneratorëve, që është e kopsitur nga ana e SPAK. U arratis në Zvicër dhe ka kërkuar azil politik, por kërkesa për azil politik nuk është miratuar ende. Ka ardhur një ekip nga Zvicra dhe ka parë kushtet e burgjeve në Shqipëri, me qëllim për të konfirmuar ose jo pretendimet e tij për kushte të papërshtatshme dhe që shkelin të drejtat e njeriut. Kjo ka ndodhur para disa javësh”, tha mes të tjerash Doçi.

Doçi zbuloi të tjera detaje nga aktiviteti i përditshëm i Ahmetajt, teksa tha se ish-zv.kryeministri ka hapur një biznes ndërtimi në Lugano (por nuk kishte informacione nëse ishte biznes i ligjshëm, apo për pastrim parash).

Ai tha gjithashtu se dëshmia e tij audio në SPAK mund të jetë për llogari të vetë Ahmetajt, por nuk besonte që kjo do ta kthente ish-zv.kryeministrin në të penduar të drejtësisë.

“Ahmetaj vazhdon aktivitetin në Lugano të Zvicrës. Ka hapur edhe një biznes ndërtimi. Nuk e di nëse pastron para apo është biznes i ligjshëm, nuk kam fakte për këtë. Mendoj që janë procedura krejt normale për të verifikuar pretendimet e një personi që kërkon azil. Mbase dëshmia e tij audio do jetë për llogari të procesit të tij, por nuk është se kjo e kthen atë në një të penduar të drejtësisë, për të rrëfyer të gjitha aferat që ai di”, tha mes të tjerash Doçi.