Ballina Aktualitet Bastet online, Tabaku: Kaos për të favorizuar interesa të caktuara

Bastet online, Tabaku: Kaos për të favorizuar interesa të caktuara

59
0

Amullia e krijuar në tregun e basteve online, për shkak se Ministria e Financave nuk miraton aktet nënligjore të ligjit që rregullon këtë aktivitet, nuk është rastësore, por e qëllimshme.

Ky denoncim vjen nga deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila thotë se kjo është një praktikë e njohur për të krijuar hapësira abuzimi dhe, në këtë mënyrë, informaliteti është rritur në nivele alarmante.

“Është e zakonshme për këtë qeveri që, bazuar mbi interesa të caktuara, harton ligje bazë dhe më pas e lë situatën abusive, e lë atë në amulli. Hartimi i një ligji pa rregulla të sakta dhe transparente krijon problematika në implementim dhe në institucionet që duhet ta zbatojnë”.

Sipas Tabakut, përgjegjësia ka emër, dhe dështimi në hartimin e rregullave teknike po ushqen drejtpërdrejt ekonominë informale.

“Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Financave janë përgjegjëse për një sërë vendimesh që duhej të kishin hartuar aktet nënligjore. Pasojat janë të jashtëzakonshme. Po rritet një sektor informal dhe një pjesë i shkon ekonomisë gri. Sot rreth 30% e ekonomisë është informale, dhe me këto elementë shkon në 40%. Dëmtohen sipërmarrësit e ndershëm që paguajnë taksa”.

Raportimet e TV Klan kanë treguar se, pavarësisht ndalimit, bastet në rrugë informale janë lehtësisht të aksesueshme, madje edhe nga të miturit. Tabaku ngre alarmin se paqartësia ligjore dhe ndryshimi i shpeshtë i rregullave të lojës po largon investitorët seriozë perëndimorë.

“Për lojërat e fatit pati aksion në 2025 për të mos e lejuar si aktivitet. Qëllimi i qeverisë ishte që të përqëndroheshin në pak duar që të kontrollonin licencat dhe më pas u lejuan edhe ato online. Në 12 vite, ligjet dhe taksat kanë ndryshuar 60 herë… kjo krijon pasiguri tek investitorët, dhe jo më kot nuk vijnë perëndimorët”.

Mungesa e akteve nënligjore ka bllokuar procesin e licencimit, ndërkohë që bastet ilegale po lulëzojnë me shpejtësi. Ekspertët përllogarisin se humbjet në arkën e shtetit nga taksat dhe punësimi arrijnë në afro 100 milionë euro në vit.

Ministria e Financave nuk ka ende një datë se kur do të bëhet funksional ligji i basteve online dhe refuzon t’i përgjigjet se kur do të miratohen aktet nënligjore apo për arsyet se pse ato nuk janë miratuar.

Si pasojë e mosmiratimit të akteve nënligjore, prej dy vitesh shteti nuk arkëton asnjë qindarkë nga aktiviteti i basteve online, ndërsa paratë e shqiptarëve po përfundojnë në llogari të pakontrolluara online ose në kompani të huaja. Mbetet për t’u parë nëse Ministria e Financave do t’u përgjigjet akuzave që po i adresohen nga deputetë dhe grupe të tjera interesi, nëse do të nxjerrë aktet nënligjore, apo do të vijojë ta mbajë këtë sektor në informalitet, duke humbur miliona euro çdo vit arkës së shtetit.