Ditën e djeshme në Podcastin e tij, kryeministri shqiptar u shfaq arrogant dhe me gjuhë të ashpër përsa i përket zërave për një raport të ngrirë mes tij dhe amerikanëve. Nisur nga fakti se, Edi Rama ka qenë i përbuzur nga administrata e re SHBA, ku është refuzuar prej një viti nga Mynih 2025 në Mynih 2026, kryeministri shqiptar hodhi dorashkën e sfidës duke konfirmuar se do të jetë në Uashington në Bordin e Paqes. Pasi nëmi me gojën e tij të shthurur zërat mediatikë dhe politikë që kanë konstatuar raportin e tij të ngrirë me SHBA, kryeministri shqiptar deklaroi se do të shkojë në SHBA në 19 shkurt si i ftuar i Trump. Që Edi Rama kishte një ftesë të tillë dhe një muaj më parë, por pati fatin e keq të mos ta firmosë në Davos. Nëse herën e parë e paraqiti ftesën me një koment të pështirë servilizmi me një dedikim me gërma kapitale, këtë herë u mjaftua me një njoftim të thatë.
Pa i hyrë thellë diskutimit rreth ftesës, ekzistencës së kësaj ftese, apo dhe mundësisë së fluturimit të Edi Ramës për në Uashington, u pa qartë se në daljen e tij publike nuk kishte qëllimin e anuncimit të këtij eventi, por ndryshimet e nenit 242 të Kodit të Procedurave Penale. Njoftimi i ndryshimeve të nenit 242 u shoqërua në mënyrë të qëllimshme me ftesën e Donald Trump, duke u rrekur të na mbushë mendjen se ky njeri mund të ndryshojë ligjet pasi ka mbështetjen e SHBA. U desh Podcasti i djeshëm që të shantazhonte opinionin publik me këtë manovër vanitoze për të justifikuar mbrojtjen me ligj të krimeve të bandës qeveritare. Dje me një të rënë të lapsit, kryeministri u mundua që të ilustronte këto ndryshime duke u paraqitur si njeriu i Trump, pasi kishte në xhep ftesën e presidentit amerikan.
Që Edi Rama është një idiot i lindur nuk është e vështirë të kuptohet. Por në rastin konkret, budallëku i tij është agravuar për shkak të situatës së vështirë ku ndodhet dhe justifikohet nga frika dhe terrori që e ka kapluar. I rrethuar nga ministra të korruptuar, bashkëpunëtorë të arrestuar, të pandehur dhe në hetime, ku laku i drejtësisë po i shtrëngohet rreth qafës së tij, duke e vënë nën trysninë e ditës kur SPAK do trokasë dhe te dera e tij. Duke parë fatin e homologëve të tij nëpër botë, atij çdo ditë i fanepset para syve fati i Sanaderit, Gruevskit, etj, duke i shkaktuar këtë dizorientim dhe ç’ekuilibër që po manifeston gjatë këtyre ditëve. Është e kuptueshme taktika e tij. Ai nuk do ti dorëzohet fatit që po i vjen. Fundin e ka të qartë dhe kërkon me çdo kusht ta shmangë, ta shtyjë në kohë apo dhe të shpëtojë nëpërmjet manovrave si këto të ndryshimeve të nenit 242, apo dhe të ftesave në aktivitetet me Trump, të cilat do ti shesë si dekrete amnistie para organeve të drejtësisë shqiptare.
Me foton e Trumpit apo të Ivankës, Edi Rama e ka të përcaktuar destinon e tij dhe mund të shtyjë kohën, por jo vulën që ja kanë stampuar në ballë. Sanaderi e ka përcaktuar fatin e Edi Ramës. Shqiptarët do e bëjnë kurbanin e tyre për të hyrë në BE ashtu siç bëri dhe Kroacia me kryeministrin e saj dhe ky do të jetë padyshim dora vetë Edi Rama./sot







