Nga Desada Metaj
Kartonët kundër drejtësisë
Lëvizja e fundit e Edi Ramës për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, e motivuar haptazi nga masa e sigurimit “pezullim nga detyra” e vendosur nga GJKKO ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, nuk është as reformë, as sqarim teknik, as plotësim boshllëku. Që të jemi të qartë nuk ka asgjë që ka lidhje me ligjet dhe jurisprudencën por është një lëvizje e pastër politike për të neutralizuar efektet e hetimeve të SPAK. Dhe është brutal në thjeshtësinë e tij: në mungesë argumenti juridik, përdoret forca e kartonëve parlamentarë.
Projektligji parashikon që masa e sigurimit “pezullim nga detyra” të mos aplikohet jo vetëm ndaj të zgjedhurve (deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë, siç parashikon ligji që prej vitit 1995), por tashmë të shtrihet edhe ndaj funksionarëve jo të zgjedhur si Presidentit, Avokatit të Popullit, Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit, ministrave dhe Kryetarit të KLSH. Është e qartë që synimi real është mbrojtja ndaj anëtarëve të qeverisë. Të tjerët janë thjesht një ornament zbukurues, me synimin e demaskuar se po kërkohet të miratohet një rregull parimor. Në fakt ajo çka ka ndodhur është thjesht procesi se nga një çështje konkrete individuale(çështja Balluku), po kalohet në ndërtimin e një zone imuniteti funksional për majën e ekzekutivit. Si i tillë ky nuk është korrigjim proporcional. Është transformim i një mase sigurimi në tabu institucionale.
Pretendimi se znj. Ballukui ka dhënë dorëheqjen, jo një por tre herë dhe se Rama ia ka refuzuar, gjasme për të mbrojtur Kushtetutën, shtetin, ndarjen e pushteteve është juridikisht i rremë dhe e tradhëton synimin e vërtetë të Ramës. Dorëheqja në fakt është akt ivullneti (juridik dhe politik) i njëanshëm; nuk kërkon pranim apo pëlqimin e dikujt tjetër. Nga ana tjetër, nëse vërtet znj. Balluku ka dhënë dorëheqje (3 herë madje) kjo do të thotë se ajo ka bërë zgjedhjen që të përballet me drejtësinë e zhveshur nga çfarëdo mburoje ligjore dhe politike. E kjo do ishte vërtet një sjellje e nivelit të lartë të moralit politik. Por pyetja që lind vetiu është, se nëse dorëheqjen nga detyra e ministres ia ka penguar Keyeministi përse nuk heq dorë nga imuniteti, sepse këtë nuk ia kushtëzon dot askush? Nëse një zyrtar jep dorëheqjen reale, ai heq dorë edhe nga funksioni dhe në rastin e deputetëve edhe nga imuniteti që buron prej tij. E pra Rama me kompaninë e tij, janë të dështuar edhe në gjetjen e ndonjë fije të hollë moraliteti politik në lëvizjet e tyre. Narrativa e tre “doreheqjeve” të paralajmëruara është thjesht retorikë bajate politike për të shmangur thelbin: a do të lejohet drejtësia të ushtrojë instrumentet e saj? Nëse do të kishte vullnet për t’u përballur me drejtësinë, rruga është e qartë dhe e thjeshtë. Çdo zgjidhje tjetër është manovër.
Ndërkohë nënshkrimi i projektligjit nga një numër minimal deputetësh dhe ngutja për ta kaluar me shpejtësi tregojnë më shumë se një provë apo disiplinë partie. Ato tregojnë frikë nga luhatjet e brendshme. Kur një shumicë e sigurt procedon me nxitim dhe me firmëtarë të kufizuar, mesazhi politik është i qartë: konsensusi i brendshëm nuk është aq monolit sa pretendohet.Për të depozituar një projektligj mjafton një deputet. Përfshirja e kryetarit të Grupit dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, përvecse i shfaq këta të fundit si luftëtare kundër SPAK dhe drejtësisë, duket se fsheh edhe ndonjë frikë, për ndonjë rrymë të brendshmë në PS që ndoshta nuk është dakort me rrugën e përplasjes më drejtësinë që ka zgjedhur Rama.
Nga ana tjetër, nëse Rama do të kishte vërtet një shqetësim të nivelit parimor, lidhur me ndarjen dhe balancimin e pushteteve, më hapësirat e funksioneve të secilës degë të pushteteve, atëherë përse ngutet? Përse nuk eksploron një proces konsultimi? Përse nuk pyet misionet e asistencës ligjore të BE dhe USA që kanë asistuar gjithë kohën në ngritjen e Reformës në Drejtësi? Për më tepët, kur një projektligj i tillë, në thelbin e tij, prek vërtet ndarjen e balancimin e pushteteve, por në kahun e kufizimit të pushtetit të sistemit të drejtësisë. Pra vetë thelbin kushtetues. Ligje të natyrës kushtetuese-materiale, që prekin balancën e pushteteve, nuk kalohen me sprint procedural, përveç rastit kur kërkohet të mbyllet aty për aty një hall konkret me drejtësinë.
Për ta bërë më të qartë logjikën: Parimi i barazisë para ligjit nuk është slogan; është aks i shtetit të së drejtës. Mbi të është ngritur edhe gjithë ngrehina e Reformës në Drejtësi. Nëse një drejtor i zakonshëm apo një funksionar i lartë mund të pezullohet nga detyra si masë sigurimi, ndërsa një ministër apo kryeministër jo, krijohet një hierarki e papranueshme penale: sa më lart në pushtet, aq më i mbrojtur nga hetimi efektiv. Dhe kjo është përçudnim flagrant i parimit bazë në demokraci: të gjithë të barabartë para ligjit. Argumenti se “SPAK do të hetojë gjithsesi” është i mangët. Hetimi penal nuk është akt abstrakt; ai mbështetet në instrumente konkrete procedurale. Heqja e pezullimit nga detyra, dhe paralelisht edhe kufizimi praktik i masave të tjera të sigurimit siç janë arresti me burg, arresti shtëpiak apo kontrollet personale e të banesës, e zhveshin hetimin nga mjetet e tij thelbësore. Një prokurori së cilës i janë shkulur “dhëmbët proceduralë” për të kafshuar të korruptuarit. E një institucion i tillë, pa instrumente, është thjesht një institucion simbolik, jo funksional.
Justifikimi me “ndarjen e pushteteve” është konceptualisht i gabuar. Ndarja e pushteteve synon të garantojë që asnjë pushtet të mos uzurpojë tjetrin dhe që secili të ushtrojë funksionet e veta pa ndërhyrje arbitrare. Masa e pezullimit nga detyra nuk e paralizon funksionin ekzekutiv; ajo e transferon ushtrimin e përkohshëm të kompetencave te zëvendësi ose te një ministër tjetër.Vetë ligji 9000 që trajton funksionimin e Këshillit të Ministrave është tepër i qartë. Ka zgjidhur çdo të panjohur. Qeveria nuk ndalet.
Në të kundërt, kufizimi ligjor i kompetencave hetimore të Prokurorisë Speciale është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e pushtetit legjislativ-ekzekutiv në sferën e drejtësisë. Pra, në vend që të mbrojë ndarjen e pushteteve, projektligji e cënon atë.
Përfshirja e Presidentit, Avokatit të Popullit dhe Kryetarit të KLSH si “paketë” është një alibi e dobët për të krijuar pamjen e një rregullimi sistemik. Nuk ka pasur konstatim të ndonjë boshllëku kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. As jurisprudencë që imponon një ndërhyrje të tillë. Pra, argumenti i harmonizimit institucional nuk qëndron. Është thjesht zgjidhje e hallit të momentit. Ndaj kur një ndryshim ligjor lind si reagim ndaj një dosjeje konkrete, ai nuk është normë e përgjithshme; është ligj ad personam i maskuar.
Deklarimet e mëhershme të Ramës se për çdo ndryshim të ligjeve të drejtësisë do të konsultohej me Bashkimin Europian mbeten retorikë, nëse në praktikë dialogu real zhvillohet vetëm brenda rrethit politik të shumicës me Ulsi Manjën dhe Taulant Ballën. Me raste ulin ne tavolinë dhe Besfort Lamallarin. Reforma në drejtësi ka qenë produkt i një konsensusi të gjerë dhe i një mbikëqyrjeje të fortë ndërkombëtare. Çdo lëvizje që prek arkitekturën e saj kërkon transparencë, debat publik dhe ekspertizë të thelluar – jo improvizim politik. Aq më pak kjo lëvizje e mjerë e Ramës sot.
Kjo nismë nuk është vetëm çështje teknike procedurale. Ajo jep një sinjal social të rrezikshëm: elita politike është e gatshme të ndryshojë rregullat e lojës kur rreziku i afrohet. Në një shoqëri ku besimi te drejtësia është ende në ndërtim, ky mesazh minon kapitalin e brishtë institucional të krijuar pas reformës. Në plan afatgjatë, dëmi është më i madh se një çështje individuale. Është relativizimi i parimit që askush nuk është mbi ligjin.
Së fundmi, kjo është lëvizja e parë e drejtpërdrejtë dhe konkrete për të testuar kufijtë e fuqisë politike ndaj sistemit të ri të drejtësisë. Nëse kalon pa rezistencë institucionale dhe publike, krijon precedent: sa herë që hetimi prek majën e pushtetit, rregullat mund të rishkruhen. Kjo është rruga që ka zgjedhur Rama e nuk përbën më habi për askënd. Shteti i së drejtës nuk rrëzohet me një akt spektakolar; ai gërryhet me ndërhyrje të vogla, të justifikuara si teknike, por të motivuara politikisht. Ky projektligj nuk është fantazi juridike. Është akt banal i mbijetesës politike.
Dhe pikërisht për këtë arsye, është i rrezikshëm.







