Ballina Aktualitet KLSH: Farmacitë u furnizuan me ilaçe me vlerë zero dhe përfituan rimbursim...

KLSH: Farmacitë u furnizuan me ilaçe me vlerë zero dhe përfituan rimbursim me çmim të plotë, FSDKSH i toleroi

61
0

Auditimi i të dhënave të sistemit “e-depo” dhe informacionit të administruar nga Drejtoria e Rimbursimit në FSDKSH ka evidentuar një praktikë problematike në zinxhirin e furnizimit dhe rimbursimit të barnave, konstaton KLSH.

Sipas gjetjeve, disa farmaci me kontratë me Fondin janë furnizuar nga depo farmaceutike me barna të përfshira në Listën e Barnave të Rimbursueshme (LBR), të cilat në sistem janë regjistruar me vlerë zero lekë për njësi. Pavarësisht mungesës së kostos së blerjes, këto barna janë përshkruar dhe lëshuar për pacientët përmes recetave elektronike të rimbursueshme, duke përfituar rimbursim të plotë nga FSDKSH mbi bazën e çmimit të miratuar në LBR.

Rimbursimi është llogaritur mbi çmimin referencë të përcaktuar në LBR, së bashku me marzhin tregtar të miratuar në fuqi (24% për tregtimin me pakicë dhe 8% për shumicën) sipas përcaktimeve të VKM nr. 489, datë 30.07.2021 dhe VKM nr. 491, datë 24.07.2024, konkretisht neni 4.

Përfitim financiar i pajustifikuar

Në këto kushte, rezulton se farmacitë kanë përfituar rimbursim nga fondi për barna që nuk kanë pasur kosto reale blerjeje, pasi janë furnizuar me faturë me vlerë zero. Ndërkohë, skema e rimbursimit ka funksionuar sikur bari të ishte blerë me çmim normal tregu, duke gjeneruar përfitim financiar të pajustifikuar për subjektet përfituese.

Në thelb, diferenca mes kostos reale (zero) dhe çmimit të rimbursuar sipas LBR përbën një transfertë të pajustifikuar nga fondet publike drejt operatorëve privatë, në kundërshtim me qëllimin bazë të skemës së sigurimeve shëndetësore.

Dobësi sistemike në kontroll dhe koordinim

Auditimi evidenton disa problematika strukturore si mungesën e një mekanizmi të integruar në sistemin “e-depo” për verifikimin automatik të përputhjes mes çmimit të hyrjes së barit në farmaci dhe vlerës së rimbursuar; mungesën e kontrollit nga Drejtoria e Rimbursimit mbi burimin real dhe çmimin efektiv të furnizimit; apo dobësi në koordinimin ndërmjet strukturave përgjegjëse për rimbursimin, kontrollin financiar dhe monitorimin e zinxhirit të furnizimit farmaceutik.

Këto boshllëqe kanë krijuar hapësira të konsiderueshme për abuzim, duke e kthyer një mekanizëm social mbështetës në një instrument potencial për përfitime të padrejta.

Devijim nga objektivi i skemës së rimbursimit

Objektivi themelor i skemës së rimbursimit është mbulimi i kostos reale të furnizimit të barnave për qytetarët, në mënyrë që ata të mos përballen me barrë financiare për trajtimet e nevojshme. Kur rimbursimi jepet për produkte me kosto zero, ky objektiv deformohet dhe fondet publike përdoren për të gjeneruar marzh fitimi pa shpenzim real.

Në këtë kontekst, situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme në disa drejtime: përforcim të kontrollit elektronik, ndërlidhje automatike të sistemeve të faturimit me rimbursimin, auditim të thelluar të rasteve të evidentuara dhe, nëse konstatohen shkelje, ndjekje administrative dhe ligjore të subjekteve përgjegjëse, konstaton më tej KLSH në auditim./ekofin.al