Ballina Editorial Loja e Ramës me tre dorëheqjet e revokueshme të Belindës!

Loja e Ramës me tre dorëheqjet e revokueshme të Belindës!

56
0

Nga Irena Beqiraj 

“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Tre herë. Një herë kur iu ngrit akuza. Një herë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë, kur Gjykata nuk mori vendim. Kam qenë unë që ia kam refuzuar dorëheqjen. Sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vetë dhe është futur në territorin e pushtetit ekzekutiv nuk ka. I jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar të marrë gjithë atë baltë në fytyrë, sepse unë nuk e pranoj dorëheqjen deri sa të plotësohen kushtet. Dhe kur plotësohen kushtet nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor”.

Në demokraci sapo ngrihet një akuzë nga organet e drejtësisë për anëtarin e qeverisë, ai jep dorëheqje të “pa revokueshme”. Kur akuzat vijnë nga organet e drejtësisë, të cilat kanë për detyrë të hetojnë, nuk ka as dalje nga territori e as presion. Madje me anë të dorëheqjes së parevokueshme, e cila është diskrecion vetëm i moralit, karakterit dhe personalitetit të individit që e jep atë dhe e askujt tjetër, anëtari i qeverisë me besimin tek drejtësia dhe e vërteta, pranon të jetë i barabartë si gjithë të tjerët para drejtësisë.

Duke dhënë “dorëheqje të revokueshme”, Belinda nuk ka pranuar përgjegjësitë dhe detyrimin për të dhënë llogari para drejtësisë, madje, përkundrazi kërkon të përballet me të e veshur me pushtet, duke krijuar kështu një situatë ose një territor veprimi të papreçedentë për drejtësinë në demokraci. Qëndrimi i Belindës në detyrë pas akuzave, aq më shumë për vepra penale të përsëritura, ishte funerali i qeverisjes së bazuar tek parimet, ku disiplina imponohet sepse autoriteti dhe përgjegjësia janë të lidhura ngushtë dhe dështimi përfshin pasoja politike.

E pra, tre dorëheqjet e revokueshme të Belindës, tregojnë se ajo nuk pranuar asnjëherë, se kushtet që ajo të jetë si gjithë të tjerët para drejtësisë janë plotësuar dhe me sa duket, nuk ka për ta pranuar kurrë. Kjo situatë mospranimi duke na ofruar përrallën se dorëheqjet e revokueshme janë të mjaftueshme, ka çuar gjithë sistemin në një territor të panjohur për demokracinë.
Në këto kushte siç qënkërka në dorën e Kryeministrit të gjykojë nëse kushtet janë plotësuar apo jo, është po aq në dorë të prokurorit, gjykatësit, mediave apo edhe të publikut të gjykojë nëse kushtet janë plotësuar.

Ose nëse kryeministri do të jetë i vetmi prokuror, gjykatës dhe përcaktues i frymës edhe i gërmës së ligjit, i vetmi formëzues i opinionit publik…zamet e ka, por duhet të shpall mbretërinë!