Ballina Kulturë Mirditë/ Fillon identifikimi dhe dokumentimi për të përfituar nga programi i rijetëzimit

Mirditë/ Fillon identifikimi dhe dokumentimi për të përfituar nga programi i rijetëzimit

57
0

Kullat shekullore përbëjnë një pasuri të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Mirditë. Të ndërtuara me mure guri dhe me arkitekturë të veçantë, ato kanë një përhapje të gjerë në të gjithë territorin e bashkisë duke dëshmuar historinë dhe traditën e zonës ndër shekuj. Por sot, një pjesë e këtyre ndërtesave, të ndërtuara masivisht që nga shekulli i 16-të, ndodhen në gjendje të amortizuar andaj Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit ka nisur projektin për rijetëzimin e tyre.

“Ne kohët e fundit me bashkinë MIirditë kemi ndërmarrë një nismë për identifikimin dhe dokumentimin e të gjitha kullave të Mirditës Ndër vendbanimet tipike që ka ruajtur tipologjinë e vendbanimeve mesatare është dhe Kodër Spaçi i cili fatmirësisht ka ruajtur dhe disa ekzemplarë të banesës së fortifikuar të kësaj periudhe. Ndër kullat shumë interesante në aspektin ndërtimore dhe arkitekturor janë dhe kullat e Kthellës dhe kullat e Fshatit Polat i cili ruan disa kulla që janë mbi 3 shekullore”, deklaroi Julian Vlashi, Drejtor i Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në Bashkinë Mirditë.

Bashkia e Mirditës është pjesë e projektit të përbashkët të GIZ dhe Ministria e Kulturës për rijetëzimin e kullave të vjetra. Pronarët e këtyre banesave mund të aplikojnë për t’i kthyer kullat në një burim zhvillimi ekonomik dhe turistik, duke i integruar ato në oferta të turizmit kulturor dhe bujtinave tradicionale.

“Kohët e fundit  gjithnjë e më shumë po shohim kullat që po restaurohen. Disa kthehen në bujtina pritëse për vizitorët vendas e të huaj dhe disa të tjera ruhen në shenjë nderimi dhe respekti për paraardhësit dhe historitë familjare”, shtoi Vlashi.

Të dhënat e mbledhura gjatë  fazës së parë të evidentimit do të shërbejnë për hartimin e një programi të integruar restaurimi dhe promovimi, me synim ruajtjen e këtyre objekteve si pjesë e identitetit kulturor të Mirditës.