Ballina Dossier Mit’hat Araniti 48 vjet në burg, internim dhe dëbim! Intelektuali që përktheu...

Mit’hat Araniti 48 vjet në burg, internim dhe dëbim! Intelektuali që përktheu mbi 200 libra në qeli dhe baraka

47
0

Mit’hat Araniti ishte jurist, publicist, pionier i prozës së shkurtër shqiptare në dialekt, një nga përfaqësuesit e brezit të intelektualëve të kohës, me prirje perëndimore.

I ati ishte ushtarak i lartë, kolonel, në vitet 1923-24- Ministër Lufte, më pas, deri më 1927, Kryetar i Gjyqit të Përhershëm Ushtarak. Shkollën fillore e kreu në Austri (Freistadt) dhe Korfuz (shkollë italiane), të mesmen në Itali (Pisa, Monte MarioRomë) ndërsa arsimin e lartë në degën juridik në Zagreb, Kroaci. Ka ushtruar profesionin e gjykatësit të paqes në Gjirokastër, Elbasan, Prizren (2 herë), Durrës. Për një dhjetëvjeçar (1934-1944) publicist dhe autor i njohur në shtypin satirik të kohës, i njohur me disa pseudonime artistike (Rrém Vogli, Jago Blini, Sufi Asmon Sufës), pionier i letërsisë dialektale shqiptare. Fushat ku Mit’hati ka lënë gjurmë dhe gjithmonë të një niveli të lartë sipas vlerësimit të studiuesve, janë dhe ato të krijimeve letrare dhe publicistike.

Në shtatorin e vitit 1935, në të përjavshme “Illyria” u shfaq një skicë “M’bojat m’Nurrës” e firmuar Rrem Vogli, pseudonimi me të cilin Mit’hat Araniti botoi një varg skicash humoristike të shkruara me dialekt tiranas. Më 1996, nën kujdesin e së bijës, Odeta Zhegu, iu botua përmbledhja “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle: Skica humoristike dhe publicistikë”, ku përfshihen edhe poezitë dhe disa intervista dhe artikuj të viteve të fundit të jetës. Në parathënien e këtij botimi të Phoenix, Vedat Kokona e quan Mit’hat Aranitin “një dhurues i gazit”, ndoshta misioni më i vështirë për një shkrimtar. Siç tregojnë datat e botimeve, Mit’hat Araniti, ka qenë i pranishëm vazhdimisht në periodikët shqiptarë deri në vitin 1944 të arrestimit, kur botoi në Revistën Letrare, “Pa nrefim parti”, “një kryevepër e vogël e llojit të vet” dhe “flori në baltë”, sipas Kokonës.

Mit’hat Araniti ka ushtruar profesionin e gjykatësit të Paqes në Gjirokastër 1940, pas një viti në Prizren. Mori pjesë në organizimin e Balli Kombëtar, më pas u kthye në Ministrinë e Drejtësisë, që e riemëroi në Prizren, më pas në Elbasan dhe në Durrës deri më 1943, kur doli në mal në radhët e çetave nacionaliste të zonës së Mallakastrës. Mori pjesë në përfaqësinë e Ballit në takimin ku u arrit Marrëveshja e Mukjes. Në fund të vitit 1943 emërohet shef personeli i Ministrisë së Brendshme. Së bashku me Musine Kokalarin dhe intelektualë të tjerë, krijuan në Tiranë Partinë socialdemokrate. Krerët e saj u vunë në shënjestër pa marrë ende pushtetin Fronti Nacional-Çlirimtar. Mit’hat Araniti kreu pothuaj 10 vjet burg (nëntor 1944-prill 1954).

Ai u arrestua tri ditë pas kryengritjes së Postribës, por urdhër arresti u lëshua tre muaj më vonë në dhjetor 1946. Ai u dënua si figurë e Ballit Kombëtar që mbronte tezën e Shqipërisë etnike siç u arrit marrëveshja në Mukje. U dënua me 10 vite burg, u lirua më 1951 Në momentin e arrestimit ishte Shef Personeli i Ministrisë së Drejtësisë. U arrestua me 21.11.1944 (akuza: si figurë e Ballit Kombëtar dhe për mbrojtjen e tezës së Shqipërisë etnike në Mbledhjen e Mukjes, ku mori pjesë). Kreu rreth 1 vit burg në Burrel, më pas në Burgun e Artizanatit, Tiranë, dhoma e përkthyesve, bashkë me Mirash Ivanajn, Lazër Radin, Mihal Sherkon, etj.. Doli nga burgu në prill 1954. Po atë ditë niset në internim, me vendimin nr. 1 të Komisionit të Internim- Dëbimeve.

Vuajti internimin nga prill 1954 deri në 1960 në 5-6 kampe në Kuç, Kurvelesh, Shtyllas e Radostimë, Fier, Gradishtë e Çermë, Lushnje). Lek Pervizi i ka kushtuar një shkrim me titull “Mit’hat Araniti-Bashkëvuejtës dhe mik i paharruar”, ku tregon që me Mit’hatin është njohur në Shtyllas dhe Radostinë të Fierit, ku këta të internuar i kishin aneksuar në kampin e të burgosurve dhe i kishin futur në punë bashkë me ta, për të hapur “një kanal faraonik”. Nga aty, Mit’hatin, Lekën e një grup intelektualësh të lartë, ish-funksionarësh dhe anëtarësh familjesh të njohura i dërguan në kampin e Kuçit, në Vlorë, që funksionoi në periudhën 1954-1958 e ku përbërja e të dënuarve, mund t’i jepte atij kampi emërtesën “Akademia e Kuçit”. U martua më 1959 në internim me znj.Agime Pipa (Araniti), ish-e burgosur politike (1946- 1950) në burgjet e Shkodrës. Më pas vuajti dëbimin nga 1960 deri në vdekje (29.11.1992) në Çermë e Dushk të Lushnjes. Gjatë gjithë periudhës së internimit dhe dëbimit punoi në bujqësi. Si shumë të internuar të tjerë, banesa e familjes ishte një barakë. U nda nga jeta më 29.11.1992 në Tiranë, pa arritur t’i shpërngulet gjendja civile nga vendet e dënimit. Për punën dhe veprimtarinë e tij patriotike e kulturore është dekoruar me titujt më të lartë pas vdekjes.

Mit’hat Araniti përktheu mbi 200 librave. Diktatura e burgosi dhe e internoi duke e detyruar të punonte në kushtet e qelisë apo barakave. Araniti zotëronte një sërë gjuhësh të huaja, të tilla si italishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja dhe serbokroatishtja. Në burg mësoi gjuhën ruse, ndërsa turqishten e kishte gjuhën e nënës, në moshën 61-vjeçare nisi të mësonte rumanishten. Përktheu me mëditje për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe të Tiranës, në fushat e albanologjisë, arkeologjisë, numizmatikës, etimologjisë etj.. Punonte në banesën e tij, që do të thotë në barakën e tij. Një herë madje, një zjarr që përfshiu barakën, dogji gjithë përkthimet që kishte në dorë, apo të ruajtura aty. Ndër autorët e përkthyer prej tij futen Meyer, Russu, Krahe, Stipèeviè, De Simone, Jokli, Praschniker, Garaschanin, Benac, Ëalde, Von Hahn, Šufflay, Rendiè-Mioèeviè, Katièiè, Teodorova, Papazoglu, Schuchardt, Thalloczy, Kilian, Roman, etj. Përkthimet e daktilografuara zakonisht në katër kopje, janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekave Shkencore, së pari të Universitetit të Tiranës dhe më pas të Akademisë së Shkencave, i cili i porosiste përkthime deri para se të ndërronte jetë.

Përkthimi i tij i Fjalorit etimologjik të gjuhëve indoevropiane me tre vëllim, hartuar nga Alois Walde dhe Julius Pokorny nga gjermanishtja, qëndroi në dorëshkrim i pabotuar për dekada të tëra në Bibliotekën e Durrësit. Për mbi 9 vjet, tek Burgu i Tiranës, ka përkthyer (me të tjerët) gjithë legjislacionin e bazat teorike të funksionimit të shtetit. Mbi 200 tituj të përkthyer për 40 vjet në gjendje internimi e dëbimi (veç përkthimeve në burg për 10 vjet), krahas punës në bujqësi, nga 6-7 gjuhë të huaja, për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe Tiranës, në fushat e albanologjisë, arkeologjisë, numizmatikës, etimologjisë, etj.. Mi’thati zotëronte shumë mirë italishten, gjermanishten, frëngjishten, anglishten, serbishten. Në burg mëson rusishten, ndërsa turqishten e kishte gjuhën e nënës. 61 vjeç mëson edhe rumanishten. Disa autorë albanologë të përkthyer Mayer, Russu, Krahe, Stipèeviè, de Simone, Jokli, Praschniker, Garaschanin, Benac, Walde, Hahn, Schufflay, Rendiè-Mioèeviè, Katièiè, Teodorova, Papazoglu, Schuckhardt, von Thalloczy, Kilian, Roman, etj. Më 1996 u botua përmbledhja e shkrimeve të tij letrare të periudhës 1934-1944, poezitë, si dhe disa intervista e artikuj të viteve të fundit të jetës, nën titullin “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle”.Për punën dhe veprimtarinë e tij patriotike e kulturore, pas vdekjes, që i erdhi më 29.11.1992, është dekoruar me titujt e urdhrat më të lartë nga Presidenti i Republikës, si “Pishtar i Demokracisë”, “Naim Frashëri” e “Nderi i Kombit”./Panorama