Ballina Politika Nga Peleshi tek Bardhi, 78 mijë euro dieta për një muaj që...

Nga Peleshi tek Bardhi, 78 mijë euro dieta për një muaj që deputetët të shkojnë në zonën elektorale, kush mori para më shumë?

111
0

Që deputetët të shkonin pranë zgjedhësve dhe të kryenin detyrat e tyre në zonat elektorale gjatë muajit dhjetor ka kushtuar 78 mijë euro për taksapaguarit.
Vetëm për shpenzime dietash për udhëtimet brenda vendit, sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga VNA, shuma totale e disbursuar për këtë zë arrin në 7,832,097 lekë. (Këtu nuk përfshihet fondi për karburant, sepse ai është më vete).
Ndërkohë që PS dhe PD, po punojnë në heshtje dhe larg vëmendjes së publikut për një ligj të ri për statusin e deputetëve, që pritet tu japë atyre më shumë privilegje, bonuse më të larta qeraje, staf për secilin, zyra e transport, le të analizojmë të dhënat aktuale.

Kush janë deputetët që përfituan më shumë?

Në krye të listës për shpenzimet më të larta gjatë dhjetorit renditet Niko Peleshi. Kryetari i Kuvendit dhe deputeti i qarkut të largët të Korçës, i ka përfituar vetëm për muajin dhjetor 1800 euro. Ai ndiqet nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, me një vlerë prej 1700 eurosh. Ndër emrat e tjerë që kryesojnë listën për shkak të angazhimeve në terren janë Klodiana Spahiu dhe Luçiano Boçi me nga 1500 euro.
Një grup i madh deputetësh kanë përfituar shifra të njëjta, kryesisht në vlerën 1480 eurove. Ndër ta mund të përmendim: Antoneta Dhima, Aurora Mara, Elda Hoti, Luan Baçi, Vangjel Dule dhe Bledjon Nallbati.

Deputetët me “zero” shpenzime

Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e ligjvënësve nuk kanë përfituar asnjë qindarkë për dieta udhëtimesh brenda vendit gjatë kësaj periudhe. Në listën me vlerë 0 figurojnë emra si Fatmir Xhafa, Lindita Nikolla, Damian Gjiknuri, Sali Berisha dhe Agron Shehaj. Gjithashtu, pa asnjë përfitim nga ky fond rezultojnë edhe deputetë si Ilirjan Pendavinji, Fadil Nasufi dhe Vullnet Sinaj.
Këto pagesa pasqyrojnë dinamikën e lëvizjeve të deputetëve nëpër zonat e tyre elektorale dhe angazhimet e tyre zyrtare gjatë muajit të fundit të vitit, edhe pse skema nuk garanton që këta deputetë vërtetë të kenë zhvilluar takime me zgjedhësit në dhjetor.

10 emrat që kanë marrë më shumë pagesa/dieta:
1. Niko Peleshi: 188,700
2. Gazment Bardhi: 171,258
3. Klodiana Spahiu: 158,100
4. Luçiano Boçi: 156,366
5. Antoneta Dhima: 148,920
6. Aurora Mara: 148,920
7. Elda Hoti: 148,920
8. Luan Baci: 148,920
9. Vangjel Dule: 148,920
10. Bledjon Nallbati: 148,920

10 emrat që kanë përfituar më pak (vlera 0):
1. Ilirjan Pendavinji: 0
2. Fadil Nasufi: 0
3. Vullnet Sinaj: 0
4. Fatmir Xhafa: 0
5. Lindita Nikolla: 0
6. Damian Gjiknuri: 0
7. Bujar Leskaj: 0
8. Ornaldo Rakipi: 0
9. Agron Shehaj: 0
10. Sali Berisha: 0