Një projekt zhvillimi në zonën historike të Durrësit rrezikon të lërë pa shtëpi rreth 200 familje, duke shkaktuar njëkohësisht një debat publik mbi të drejtat e pronës dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Sipas një plani të kontestuar, banorëve u është kërkuar të lirojnë banesat, ndërsa menaxhimi i zonës pas ndërhyrjes pritet t’i kalojë një entiteti privat, duke detyruar edhe banorët e mbetur të paguajnë tarifa shtesë.
Alarmi është ngritur pasi banorët e lagjes më të vjetër të qytetit, në afërsi të amfiteatrit antik, kanë marrë shkresa zyrtare për t’u larguar, me paralajmërimin se në të kundërt do të përballen me fadromat.
I ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto’, deputeti i PD Igli Cara deklaroi se ndërhyrja e planifikuar cenon pronën private të familjeve durrasake dhe rrezikon trashëgiminë kulturore në lagjen më të vjetër të qytetit.
Sipas Carës, projekti po zbatohet pa konsultim me banorët dhe në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për trashëgiminë kulturore, duke i hapur rrugë shembjeve dhe shpronësimeve të detyruara.
Deputeti demokrat theksoi se investimi parashikohet të realizohet me fonde publike, ndërsa menaxhimi i zonës mund t’i kalojë palëve të treta, çka sipas tij ngre pikëpyetje për transparencën dhe interesin publik.
Cara e cilësoi procesin si abuziv dhe bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të projektit, hapjen e një dialogu me banorët dhe garantimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në zonën e amfiteatrit.
Deklarata e plotë:
“Kryeministri nuk është se ka ndonjë ndjenjë njerëzore, se po të kishte ndjenjë njerëzore nuk arrinim në këto nivele.
Po flasim për një njeri i cili, në mendimin tim, është anormal në të gjitha veprimet që po bën, sidomos në periudhën e fundit.
Kam dëgjuar shpesh fakt dhe komente të zhvillimit të zonës. Unë nuk di ndonjë banor të Durrësit, qoftë dhe banorët aktualë, që mos të jenë dakord që të ketë zhvillim të zonës.
Por kurrsesi zhvillimi i zonës nuk mund të vijë duke prekur pronën e tjetrit, duke ja shembur dhe aq më tepër duke bërë dhe projekte abuzive.
Unë jam munduar gjithmonë në daljet e mia të them që pa diskutim që nuk janë vetëm banorët, por është edhe trashëgimia kulturore.
Këtu kemi 74 banorë që janë aktualisht që i ka shkuar dokumenti për prishje, por në tërësi janë rreth 2000
Pra bëhet fjalë për 200 familje, të cilat do të preken nga ky projekt. Është lagjja më e vjetër e Durrësit. Bëhet fjalë për zonën e amfiteatrit dhe unë nuk di të ketë një zonë më të vjetër se zona e amfiteatrit.
Flasim nga këto të trashëgimisë kulturore dhe është një zonë me shumë vlerë. Dhe prandaj thashë, duhet ta shohim jo vetëm si proces të banorëve, por proces edhe të Flavios, të Iglit dhe të gjithë, dhe të gjithë Shqipërisë, se është aset kombëtar.
Nuk mundet ta marrësh dhe ta transformosh, pastaj mbi të gjitha, t’ia japësh dikujt tjetër ta menaxhojë, se do ta shpjegoj dhe këtë pikë se është shumë e rëndësishme.
Pra, po sillet shumë keq me banorët. Së pari po shkel pikërisht atë që thamë, Kushtetutën se po i prek pronën.
E dyta, se unë e kuptoj që ka dhe një ligj që thotë për interes publik mundet që prona të tjetërsohet.
Por ama, ka dhe një ligj tjetër i cili po ashtu i kësaj qeverie, ligji numër 169 i cili thotë qartë që në këto raste duhen pyetur banorët dhe me këto banorë biles duhet mbajtur dhe procesverbal.
Sepse është pikërisht në një zonë me trashëgimi kulturore të të rëndësishme. Atëherë çfarë bëri kryeministri? Kryeministri nuk pyeti dhe kjo marrëveshja që kam unë këtu, është e ADF-së, por me kë e ka bërë? E ka bërë me Ministrinë e Kulturës dhe me Bashkinë.
Dhe po të shohësh, Flavio, kushdo, edhe një njeri që s’është jurist e kupton që kjo është një çmenduri. Se çfarë thonë?
Pasi do j’ua marrin banorëve, që siç e patë janë të pakënaqur, se normale pas 100 viteve nuk mundesh dot që t’i nxjerrësh, se kanë 100 apo edhe më shumë vite që jetojnë në ato prona i nxjerr jashtë.
Dhe pasi i nxjerr banorët, pastaj thua do të bëj investim. Dhe kush e bën këtë investimin? E bën shteti jonë, me taksat tona, sepse janë para të qytetarëve këto që po shpronësohen”.







