Kryeministri Edi Rama është vënë në ‘shënjestër’ të medieve ndërkombëtare. Këtë radhë, Rama ka marrë kritika të forta, lidhur me nismën që Partia Soicalistë kërkon të ndërmarrë përmes ndryshimeve ligjore, për të ndaluar gjyqësorin e SPAK që të shkarkojë ministrat e kabinetit të tij.
Në një artikull të publikuar këtë të hënë, Reuter shkruan se qeveria Rama do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërsa janë nën hetim penal, në një përpjekje për të mbrojtur veten, duke dëmtuar kushti edhe pavarësinë gjyqësore.
Sakaq Reuters thekson ndër të tjera, se teksa Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, blloku thotë se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin
Artikulli i plotë i Reuters:
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se qeveria e tij do të ndryshojë ligjin për të mbrojtur ministrat nga pezullimi ndërsa janë nën hetim penal, duke bërë që opozita ta akuzojë atë se po përpiqet të mbrojë veten dhe të dëmtojë pavarësinë gjyqësore.
Një gjykatë pezulloi zëvendësen e Ramës, Belinda Balluku, në nëntor pas padisë së ngritur ndaj saj nga prokurorët e anti-korrupsionit të Shqipërisë, të njohur si SPAK, për ndërhyrje të dyshuar në një tender për projekte infrastrukturore, të cilën ajo e mohon.
Rasti ka shkaktuar një mosmarrëveshje midis SPAK-ut, i cili i ka kërkuar parlamentit të heqë imunitetin e Ballukut për të lejuar arrestimin e saj, dhe Ramës, i cili është ankuar për tejkalim të kompetencave gjyqësore, veçanërisht me paraburgimet.
Shqipëria synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por blloku thotë se vendi duhet të bëjë më shumë për të luftuar krimin dhe korrupsionin.
Partia Socialiste e Ramës, e cila vitin e kaluar siguroi një mandat të katërt radhazi, ka një shumicë të konsiderueshme parlamentare dhe është e paqartë nëse dhe kur kuvendi do t’ia heqë imunitetin Ballukut, e cila shërbeu gjithashtu si ministre e infrastrukturës dhe është një aleate e ngushtë e kryeministrit.
“Momenti kur një ministër shkarkohet, nuk është vetëm një person i shkarkuar, por e gjithë puna e atij institucioni”, u tha Rama ligjvënësve të partisë së tij të hënën, duke njoftuar planin për të ndryshuar ligjin.
Opozita ka organizuar një sërë protestash në muajt e fundit në kryeqytetin e Tiranës, për të kërkuar dorëheqjen e Ballukut. Të hënën ata thanë se me ndryshimet, Rama po kërkonte të kontrollonte procedurat gjyqësore në favor të tij.
“Kjo nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Ramës për të mbrojtur veten, duke hedhur në erë si pavarësinë e gjyqësorit ashtu edhe ndarjen e pushteteve… sepse pas Ballukut dhe keqbërjeve të saj qëndron Rama”, tha Partia Demokratike, opozita kryesore, në një deklaratë për Reuters.







