Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, i drejtuar nga Fatmir Xhafa, ka miratuar në kalendarin e tij të punimeve për vitin 2026 një tjetër vizitë në SPAK, pavarësisht qëndrimit të ftohtë të këtij institucioni ndaj iniciativave të mëparshme.
Draft-kalendari i mbikëqyrjes parlamentare, i miratuar në mbledhjen e Komisionit më 12 shkurt 2026, parashikon vazhdimin e kontakteve me institucionet e drejtësisë, duke vendosur sërish SPAK në qendër të axhendës së mbikëqyrjes parlamentare. Lëvizja vjen pasi më herët vetë Xhafa ishte përballur me reagime publike dhe rezervë institucionale lidhur me vizitat e tilla.
Burime për VNA bëjnë me dije se qëndrimi i SPAK nuk ka ndryshuar dhe se komisioni nuk konsiderohet i mirëpritur në këto vizita, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar në raportin mes kontrollit parlamentar dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Në sfond mbetet debati i hapur mbi kufijtë e mbikëqyrjes parlamentare ndaj strukturave të posaçme të drejtësisë: deri ku shtrihet kontrolli i Kuvendit dhe ku nis autonomia institucionale. Vendimi i fundit i komisionit duket se rihap këtë përplasje, duke e mbajtur fokusin politik te marrëdhënia mes politikës dhe SPAK.







