Ballina Ekonomia Studimi i BSH, forcimi i mundshëm i euros do të rikthente krizën...

Studimi i BSH, forcimi i mundshëm i euros do të rikthente krizën e çmimeve në vend

61
0

Forcimi i mundshëm i euros do të rikthente valën e krizës së çmimeve në vend. Një studim i Bankës së Shqipërisë paralajmëron se zhvlerësimi i lekut do të shtrenjtonte veçanërisht produktet nga importi.

“Rezultatet tregojnë se kursi i këmbimit ndikon pozitivisht në inflacionin total, por efektet nuk janë të rëndësishme për vlerësimin e monedhës. Rezultati kryesor tregon se zhvlerësimet kanë tendencë të kenë një efekt inflacionist më të theksuar, veçanërisht në kuantilet më të larta të inflacionit” shprehet BSH.

Nga një rikthim i mundshëm i euros në nivelet e 120 lekëve ndikime të konsiderueshme do të kishte edhe në drejtim të kredive. Këstet e huave do të bëheshin më të shtrenjta.

“Ndikimi i kursit të këmbimit është më kompleks: ai është negativ në afatshkurtër dhe përmbyset pjesërisht në horizonte më të gjata kohore. Efektet e vonuara të rrezikut të kredisë dhe normës së interesit zbehen gradualisht me kalimin e kohës”, deklaron BSH.

Në studim, Banka Qendrore ka nxjerrë në pah edhe faktin se çmimet e apartamenteve në vend janë së paku 5 për qind më të larta se normalja.

“Është zbuluar se çmimet e shtëpive ishin në mesin e vitit 2025 të paktën 5% mbi nivelet e tyre «normale». Gjithashtu, rezultatet paraprake tregojnë se çekuilibrat e çmimeve të shtëpive duket se pengojnë rritjen ekonomike në planin afatgjatë, por as nuk e përforcojnë dhe as nuk e dobësojnë atë në planin afatshkurtër”, thekson BSH.

Ekspertët theksojnë se stabiliteti i kursit të këmbimit mbetet thelbësor për kontrollin e inflacionit dhe ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, në një kohë kur ekonomia shqiptare mbetet e ndjeshme ndaj zhvillimeve të jashtme.