Ballina Kosovë 18 vite shtet i pavarur, Kosova feston sot Pavarësinë

18 vite shtet i pavarur, Kosova feston sot Pavarësinë

41
0

Kosova mbush sot 18 vjet si shtet i pavarur. Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë, duke shënuar një nga momentet më historike për vendin dhe rajonin.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 nga 120 deputetë, Kuvendi shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Në cermonin që do të mbahet sot pritet të marrë pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përkrah drejtuesve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të trupit diplomatik.

Manifestimet nisin me ngritjen solemne të Flamurit të Republikës së Kosovës, për të vijuar me mbledhjen solemne të Qeverisë. Në orën 09:00, delegacionet shtetërore do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, simbol i sakrificës për liri.

Pjesa qendrore institucionale zhvillohet në orën 10:30 me seancën solemne të Kuvendi i Republikës së Kosovës. Më pas, në orën 11:25 do të bëhen nderime te Monumenti i Heroinave, ndërsa në 11:30 do të mbahet parakalimi i trupave të Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Gjatë pasdites do të zhvillohen homazhe te Monumenti i të Pagjeturve dhe te Pllaka Përkujtimore e Fëmijëve të Vrarë, si dhe nderime te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe ai i veprimtarit Adem Demaçi.

Aktivitetet përmbyllen në mbrëmje me pritjen shtetërore të organizuar nga Presidentja, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri i Kosovës në orën 17:30, ndërsa në orën 20:00 do të mbahet koncerti solemn në Filarmoninë e Kosovës.